Marrëdhëniet SHBA-Egjipt
Udhëheqësit e përkohshëm të Egjiptit po vazhdojnë tranzicionin politik, dy javë pasi ushtria rrëzoi nga pushteti Presidentin Mohamed Morsi.Kabineti i përkohshëm i Egjiptit bëri betimin, por asnjeri nga 34 anëtarët e tij nuk ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, lëvizja që erdhi në pushtet pas zgjedhjes vitin e kaluar të Mohamed Morsit në postin e presidentit.Më 3 korrik ushtria egjiptiane largoi nga pushteti udhëheqësin e zgjedhur në mënyrë demokratike, pasi miliona egjiptianë protestuan për 4 ditë me radhë ndaj mënyrës se si ai po drejtonte vendin.Vëllazëria Myslimane e konsideron të paligjshme qeverinë aktuale me mbështetjen e ushtrisë.Administrata Obama po rishikon ndihmën ndaj Egjiptit pas ndërhyrjes së ushtrisë, ndërsa SHBA përcaktojnë me ligj ndërprerjen e ndihmave ndaj një vendi, “qeveria e të cilit e zgjedhur në mënyrë demokratike rrëzohet me grusht ushtarak shteti”.Por zyrtarët amerikanë kanë hezituar ta cilësojnë “grusht shteti” atë që ndodhi në Egjipt.Ëashingtoni i jep Egjiptit 1,3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit. Disa ligjvënës po bëjnë thirrje që t’i jepet fund kësaj ndihme.Por ish eksperti i Departamentit amerikan të Shtetit, Aaron David Miller, thotë se kjo nuk është ide e mirë.“Para së gjithash, ne i kemi dhënë ndihmë Egjiptit për tre dekada rresht, një regjimi që as që shtirej të ishte demokratik, një regjim që nuk mbante zgjedhje, ku nuk zhvilloheshin demonstrata popullore të këtij lloji; një regjim, që nuk ishte aspak i hapur dhe demokratik. Pra si mundet që tani, ndoshta në procesin e demokratizimit, kur ka patur zgjedhje dhe shprehje masive të vullnetit të popullit, ne t’ia ndërpresim ndihmën këtij vendi? Kjo nuk ka aspak logjik” tha ai.Shumë ekspertë thonë se qeveria amerikane ka shumë pak ndikim tek zhvillimet në Egjipt.Me ndikim, apo pa ndikim, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se në Lindjen e Mesme nevojitet një Egjipt i qëndrueshëm politikisht. Sipas ekspertëve SHBA dhe vende të tjera duhet të mos ndërhyjnë dhe ta lenë të vazhdojë procesin e nisur në Egjipt.