Mesazhe që imitojnë faqen e Postës Shqiptare, Policia: Tentativë mashtrimi kibernetik
Ditët e fundit në vend, po qarkullojnë mesazhe dhe linqe të rreme, që imitojnë faqen zyrtare të Postës Shqiptare.
Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim, ku informon qytetarët që të tregojnë kujdes nga mesazhet mashtruese që imitojnë faqen zyrtare të Postës Shqiptare apo të subjekteve të ndryshme. Policia theksoi në njoftim se këto mesazhe kërkojnë nga përdoruesit të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Sipas Policisë, kjo është një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), që ka si qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të kartave bankare apo kodeve të aksesit në llogari online. Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për kujdes të shtuar.
“Mos klikoni në lidhje (linqe) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale, të mos jepen të dhëna pesonale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare, të kontrollohet gjithmonë adresa e saktë e faqes përpara se të kryeni çdo veprim online”, janë udhëzimet për qytetarët..
Policia nënvizon se në rast dyshimi, qytetarët duhet të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të mbrojtur qytetarët nga veprimtaritë e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi sigurinë kibernetike.
