Pas rrëzimit të kërkesës nga KAS, Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën, Gjergj Nika regjistrohet zyrtarisht si kandidat i pavarur për Kryetar Bashkie në Vlorë

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor vendosi sot (30 tetor) regjistrimin e Gjergji Nikës si kandidat të pavarur për Kryetar Bashkie në Vlorë për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor.

Çështja u shqyrtua nga gjyqtarët Rexhep Bekteshi (relator), Iliba Bezati, Artan Çupi, Ornela Naqellari dhe Enkel Peza.

Kujtojmë se më datë 26 tetor Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), rrëzoi kërkesën e Gjergj Nikës për t’u regjistruar si kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës.

Sipas arsyetimit të anëtarëve të KAS, edhe pse Nika mban mandatin e këshilltarit bashkiak, ai duhet të kishte regjistruar një Komitet Nismëtar, në përputhje me kërkesat ligjore për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.

Gjergj Nika, kërkoi që të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit, por nuk u regjistrua nga Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, theksoi se Nika duhej të ishte propozuar nga një Komitet Nismëtar dhe të kishte ndjekur procedurën ligjore për regjistrim.