“Siguria e të rinjve”, takime ndërgjegjësuese në shkollat e vendit

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se Programi Kombëtar “Siguria e të rinjve” vijon pandërprerë misionin e tij për të rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin mbi çështje që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve në arsimin parauniversitar në të gjithë vendin.

Ky program përfaqëson një nismë të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme, ku ndihmës-specialistët për edukim, oficerët e sigurisë dhe mësuesit janë angazhuar në zhvillimin e takimeve informuese në çdo qark të vendit.

Kumbaro tha se, aktivitetet zhvillohen në formën e bashkëbisedimeve dhe diskutimeve të hapura me nxënësit, duke trajtuar tema të ndjeshme si: dhuna në ambientet shkollore; bullizmi; trafikimi i të miturve dhe siguria dhe mbrojtja në internet.

Qëllimi i këtyre takimeve është të adresohen sfidat që përjetojnë të rinjtë, të kuptohen më mirë shqetësimet e tyre dhe të promovohet një mjedis arsimor i sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës.

Ministrja Kumbaro theksoi se kjo qasje e drejtpërdrejtë me nxënësit është thelbësore për të ndërtuar një sistem arsimor që vë në qendër jo vetëm dijen, por edhe mirëqenien emocionale dhe sociale të fëmijëve.