“Liri për çlirimtarët” - Mijëra zëra buçasin në sheshin "Skënderbej" thirrjen "UÇK"! Gucati: Kosova ka luftuar për lirinë

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë nisi pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej në Tiranë” me himnin kombëtar.

Mijëra qytetarë nga trojet shqipfolëse, nga diaspora nderuan sakrificat e ushtarëve dhe krerëve të UÇK-së, lufta e të cilëve solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Qytetarët me veshjen e UÇK-së, me bluza “Unë jam UÇK” dhe me simbole kombëtare mbushën plot sheshin ndërsa para tyre folën veteran dhe përfaqësues të tjerë.

“UÇK” “Liri për çlirimtarët” ishin disa nga thirrjet që ushtuan në shesh përballë bustit të heroit kombëtar Skënderbeut.

I pranishëm në protestën “Liria ka emër” në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Me flamujt kuqezi, flamuj të UÇK-së, këngë patriotike dhe bluza të stampuara “Liria ka emër”, qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në protestë janë të pranishëm deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e PD-së deklaruan më herët se nuk do të jenë pjesë.

I pranishëm është edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Ndërsa bëjnë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, protestuesit hodhën akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban në paraburgim drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.

Protesta e sotme organizohet në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Kryetari i Organizatës Veteranët e Luftës Hysni Gucati nisi protestën në sheshin ‘Skënderbej’ për padrejtësinë ndaj pesë krerëve të UÇK të cilët ndodhen në paraburgimin e Hagës.

Gucati tha se e gjithë historia dhe bota mbarë kanë parë krimet serbe dhe se protesta e sotme nuk ka lidhje me politikën.

Më tej, Gucati tha se Gjykata Speciale ka humbur besimin e shqiptarëve dhe se proceset në Hagë janë të njëanshme.

“Ne sot po protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi, jemi për të mbrojtur luftën e shtrenjtë të UÇK, gjakun për liri.

UÇK nuk ka nevojë të dëshmojë që ka qenë ushtri çlirimtare, e ka dëshmuar historia, bota mbarë.

Bota mbarë pa krimet serbe.

Fajtorët si popull po duan të njollosin luftën tonë për liri, ne nuk do lejojmë të përdhoset emri i të shtrenjtëve tanë.

Kjo protestë nuk ka lidhje me politikën, ne kërkojmë drejtësi para ligjit dhe historisë. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.

Gjykata Speciale ka humbur çdo besim të shqiptarëve, proceset në Hagë janë të njëanshme dhe të padrejta. Drejtësia e vërtetë nuk ka frikë nga e vërteta.”