Ngjarja në Gjykatën e Apelit/ Alibali: Duhet të kthehemi 30 vite pas, gjykatat janë korruptuar nga konfliktet e pronave

I ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, analisti Neritan Alibali u shpreh se atentati ndaj gjyqtarit nuk është vetëm çështje sigurie, por pasojë e konflikteve 30-vjeçare për pronat, korrupsionit në drejtësi dhe krizës së thellë shoqërore në vend.

" Unë mendoj se është më komplekse situata sesa thjesht siguria në një gjykatë. Vërtetë atentati ka ndodhur në sallën e gjyqit, pra është goditur në radhë të parë shteti.

Kur them që çështja është më komplekse, e kam parasysh se konfliktet për prona janë konflikte 30 vjeçare.

Pra ne kemi probleme me sigurinë, kemi probleme se shoqëria shqiptare është e sëmurë.

Në kodin tonë psikomoral tradicional ne bazohemi tek e drejta jonë zakonore, tek kanuni, pra tek vetëgjyqësia.

Kur unë nuk marr drejtësi, kur shteti nuk ma zgjidh drejtësinë, atëherë unë e bëj vetë drejtësinë. Çudia më e madhe është që në Kodin tonë penal vetëgjyqësia konsiderohet si kundravajtje penale, dënohet me gjobë.

Për të bërë drejtësi, vriten gjykatësi, se nuk është gjykatësi i parë, janë bërë atentate prokurorësh, janë rrahur dhe vrarë avokatë. Avokati Mëngjesi e shumë të tjerë.

Këtu është shoqëria e gjitha e cila është në krizë, është me probleme dhe që shteti nuk merr përsipër për t'i zgjidhur këto probleme.

Ka korrupsion në gjykata. Kjo ngjarje nuk mund të merret thjesht që hajde të dënojmë atë që vrau gjykatësin për krimin. Duhet të kthehemi mbrapa 30 vite sepse është shteti dhe njerëz me pushtet në nivel qëndror dhe lokal që janë përfshirë në këtë konflikt që kanë këta pronarët me banorët qytetarë", u shpreh Alibali.