Basha: Duhet ndërhyrje urgjente në sistemin e drejtësisë

Faik Basha, ekspert i sigurisë dhe një zë i njohur në çështjet e rendit publik, ka reaguar pas ngjarjes tronditëse të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

I ftuar në emisionin Epiqendër në Ora News, me gazetaren Sonila Musai, Basha tha se ngjarja duhet parë jo vetëm si qytetar, por edhe nga prizmi i sigurisë kombëtare.

"E kam parë si qytetar, por edhe si ekspert sigurie. Çdo kush që flet dhe vepron në emër të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë i mbrojtur, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga shoqëria dhe sjellja e qytetarëve," – u shpreh Basha.

Sipas tij, kjo ngjarje tregon se ka ardhur koha për një ndërhyrje të fortë dhe të thellë në sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin në vend, duke vënë theksin te garantimi i sigurisë për gjyqtarët dhe zyrtarët që përballen me çështje të ndjeshme.

Eksperti shtoi se një gjyqtar që rrezikon jetën për shkak të detyrës është një dështim jo vetëm i sistemit të drejtësisë, por edhe i strukturave të sigurisë.