Softa: Siguria në gjykata është në nivel zero, ka dështuar sistemi
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka analizuar situatën alarmante të sigurisë në institucionet e drejtësisë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
I ftuar në emisionin Epiqendër në Ora News, me gazetaren Sonila Musai, Softa e cilësoi ngjarjen si një goditje të rëndë për sistemin e drejtësisë dhe për sigurinë në vend.
"Kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin publik, por në veçanti familjen e drejtësisë – të gjithë ata që janë punonjës të sistemit gjyqësor, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe përtej kufijve të saj," – u shpreh Softa.
Ai analizoi dy elementë kyç të ngjarjes: sistemin e sigurisë dhe sistemin e drejtësisë, duke vënë në dukje se vrasja e gjyqtarit Kalaja është pasojë e një dështimi total të strukturave mbrojtëse.
Softa bëri thirrje për reformim urgjent të sistemit të sigurisë, sidomos në ambientet e institucioneve të drejtësisë, për të garantuar mbrojtjen e jetës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të drejtësisë që janë në vijën e parë të përballjes me çështje të ndjeshme dhe konflikte të rrezikshme.
