Ngjarja e rëndë tek gjykata e Apelit/ Dhoma e Avokatisë bojkoton proceset hetimore e gjyqësore më 9 dhe 10 tetor

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar me shqetësim maksimal pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, duke e cilësuar këtë si ngjarjen më të rëndë dhe të paprecedent në historinë e sistemit të drejtësisë shqiptare.

Në një vendim të marrë unanimisht, Komiteti ka shpallur bojkot të të gjitha proceseve hetimore dhe gjyqësore, për çështjet penale, civile dhe administrative, në të gjitha shkallët e gjykimit, për datat 9 dhe 10 tetor 2025.

Ky veprim është një thirrje publike ndaj institucioneve shtetërore, politikës, dhe gjithë opinionit publik për t’u angazhuar me përgjegjësi të plotë në garantimin e jetës, sigurisë dhe veprimtarisë profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve në ushtrimin e detyrës së tyre.

Në njoftim theksohet se bojkotimi nuk do të shtrihet mbi masat e sigurimit në proceset penale, ndërkohë që kryetarët e Dhomave Vendore të Avokatisë janë urdhëruar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky është një nga reagimet më të forta të institucioneve të drejtësisë pas ngjarjes tronditëse që ka vendosur në alarm gjithë sistemin gjyqësor shqiptar.

Njoftimi:

KOMITETI DREJTUES I DHOMES TE AVOKATISE TE SHQIPERISE

Komiteti Drejtues i Dhomes se Avokatise te Shqiperise, percjell me shume shqetesim ngjarjen lidhur me vrasjen e Gjyqtarit te Gjykates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem, Z.Astrit KALAJA, si ngjarja me e rende dhe e paprecedent e ndodhur ndonjehere ne sistemin e drejtesise.

Komiteti Drejtues i Dhomes se Avokatise te Shqiperise vendosi njezeri qe te bojkotoj te gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqesore, per ceshtjet penale, civile dhe administrative, ne te gjitha nivelet e gjykimit, per datat 9 dhe 10 Tetor 2025.

Ky bojkot eshte nje thirrje per te gjithe opinionin, politiken shqiptare, Keshillin e Larte Gjyqesor, Keshillin e Larte te Prokurorise, Inspektorin e Larte te Drejtesise, si dhe palet ndergjygjese, qe te angazhohen me pergjegjesine maksimale per sigurimin e jetes dhe shendetit, si dhe te veprimtarise dhe aktivitetit te gjyqtareve, prokuroreve, dhe avokateve ne ushtrimin e detyrave te tyre ne realizimin dhe funksionimin e drejtesise.

Ky vendim nuk i shtrin efektet e tij per masat e sigurimit ne procesin penal.

Urdherohen te gjithe kryetaret e Dhomave Vendore te Avokatise per ekzekutimin e ketij vendimi.