Xhixho reagon për ngjarjen e rëndë tek gjykata e Apelit: Akti më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare

Nënkryetarja e PL, Erisa Xhixho ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit në sallën e gjyqit.

Postimi:

Vrasja e një gjyqtari brenda një salle gjyqi është akti më i rëndë dhe më tronditës që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare.

Ky krim barbar nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj vetë sistemit të drejtësisë si pushtet i pavarur.

Ngjarja e sotme është dëshmia më e dhimbshme dhe më alarmante e faktit që shteti shqiptar nuk garanton më siguri, as brenda institucioneve më të larta të tij.

Ajo nxjerr në pah rënien dramatike të autoritetit të ligjit dhe mungesën e plotë të kontrollit të shtetit ndaj dhunës.

I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së gjyqtarit të ndjerë, kolegëve të tij dhe gjithë trupës gjyqësore. Sot, drejtësia është në zi, por bashkë me të edhe shteti ligjor.

Çdo akt vetëgjyqësie është një atentat i rëndë jo vetëm ndaj jetës së një individi, por edhe ndaj drejtësisë dhe vlerave të një shoqërie demokratike.

Është e domosdoshme të garantohet siguria e gjyqtarëve në institucionet ku ata ushtrojnë detyrën dhe njëkohësisht të dekurajohet çdo përpjekje për vetëgjyqësi!