Viti i ri akademik, Meta: Universitetet po goditen nga nënfinancimi, mungesa e reformave dhe kontrolli politik!

Ish presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar studentët në nisje të viti të ri akademik. Përmes një statusi në platformën sociale, Facebook, Presidenti i Partisë së Lirisë shkruan se teksa studentët janë shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë, universitetet po goditen çdo vit nga nënfinancimi, mungesa e reformave dhe kontrolli politik.

Sipas Metës, të dhënat e fundit në rajon, na bëjnë pesimistë për cilësinë e universiteteve, duke shtuar se ky është një alarm për të gjithë shoqërinë.

Duke ripërsëritur edhe njëherë 5 prioritetet e PL-së, Meta thekson se vetëm duke ringritur arsimin mund të ringrihet vendi.

‘Shqipëria ringrihet vetëm duke ringritur arsimin, me buxhet 5% të PBB, dyfishim të pagave për pedagogët, depolitizim të arsimit të lartë dhe reforma të thella për cilësi e konkurrueshmëri’, shkruan Meta.

Urime dhe shumë suksese studentëve dhe stafit pedagogjik në nisjen e vitit të ri akademik!

Studentët janë shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë, por universitetet tona po goditen çdo vit nga nënfinancimi, mungesa e reformave dhe kontrolli politik.

Ndërsa Europa, por edhe rajoni investon në dije, Shqipëria mbyll degët e universiteteve, boshatis auditoret dhe shtyn të rinjtë drejt emigrimit.

Renditemi të fundit në rajon për cilësinë e universiteteve dhe ky është një alarm për të gjithë shoqërinë.

Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare dhe Partia e Lirisë e ka një nga 5 prioritetet kryesore për Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus, për të ndalur fenomenin e shpopullimit, garantuar progresin, të ardhmen e sigurt europiane dhe vende pune me produktivitet të lartë.

Shqipëria ringrihet vetëm duke ringritur arsimin, me buxhet 5% të PBB, dyfishim të pagave për pedagogët, depolitizim të arsimit të lartë dhe reforma të thella për cilësi e konkurrueshmëri.