SULMET MBI ANIJET, AKT TIRANIE! Petro: Nëse ka kolumbianë të vr*rë, ndjekje penale amerikanëve
Një "akt tiranie" i cilëson Presidenti Kolumbisë Gustavo Petro, sulmet ajrore të SHBA ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve. Në një intervistë për BBC ai paralajmëroi ndjekje penale ndaj zyrtarëve amerikanë nëse hetimet zbulojnë se nga sulmet janë vrarë edhe kolumbianë.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, e ka dënuar ashpër fushatën ushtarake të SHBA-së në Detin e Karaibeve, duke e quajtur atë një “akt tiranie” dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar mbi vdekjen e mundshme të qytetarëve kolumbianë.
Në një intervistë për BBC-në, Petro deklaroi se përdorimi i sulmeve ajrore ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge është i pajustifikueshëm dhe i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.
Operacioni ushtarak, i nisur nga administrata e Presidentit Donald Trump në fillim të këtij muaji, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 17 personave. Trump ka justifikuar veprimet si masa të domosdoshme për të ndalur rrjedhën e fentanilit dhe narkotikëve të tjerë drejt Shteteve të Bashkuara.
“Pse të lëshosh një raketë nëse mund ta ndalosh thjesht anijen dhe të arrestosh ekuipazhin. Kjo është ajo që dikush do ta quante vrasje.”tha presidenti kolumbian
Ai theksoi se operacionet e mëparshme detare për ndalimin e drogës janë kryer në bashkëpunim me SHBA-në pa viktima, duke akuzuar Uashingtonin për përdorim disproporcional të forcës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Zyrtarë të administratës Trump kanë pohuar se objektivat kryesorë të operacioneve kanë qenë grupet kriminale venezueliane, përfshirë bandën famëkeqe Tren de Aragua, por ekspertë dhe ligjvënës kanë vënë në dyshim besueshmërinë e informacionit zyrtar dhe legjitimitetin ligjor të sulmeve në ujëra ndërkombëtare.
Kombet e Bashkuara dhe ligjvënës demokratë në Kongresin amerikan i kanë quajtur këto veprime “ekzekutime jashtëgjyqësore” dhe kanë kërkuar transparencë mbi identitetin e viktimave dhe bazën ligjore të urdhrave presidenciale.
Duke folur nga Nju Jorku, ku po mbahet një takim i Kombeve të Bashkuara, Petro e akuzoi Trumpin për “poshtërim të popullit kolumbian” dhe theksoi se Amerika Latine nuk do të “përkulet para mbretit”.
Tensionet midis të dy liderëve kanë qenë të pranishme edhe më parë. Petro kujtoi se gjatë një fushate të mëparshme, Trump e kishte quajtur “terrorist”. Ndërkohë, Trump ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj vendeve të Amerikës Latine duke i etiketuar disa grupe kriminale si organizata terroriste dhe duke rritur praninë ushtarake në rajon.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Presidenti Trump është “i përgatitur të përdorë çdo element të fuqisë amerikane” për të ndaluar trafikun e drogës dhe për të ndëshkuar përgjegjësit, por nuk ka dhënë detaje konkrete për operacionet apo viktimat.

