Gjermania mirëpret uljen retroaktive të tarifave të SHBA-së ndaj automjeteve të BE-së
Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche përshëndeti sot uljen retroaktive të tarifave të SHBA-së ndaj automjeteve të BE-së në 15%, që nga 1 gushti.
Departamenti Amerikan i Tregtisë dhe përfaqësuesi i tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer thanë se kishin zbatuar modifikimet e përfshira në marrëveshjen kornizë tregtare të gushtit të arritur midis Uashingtonit dhe Brukselit – pasi BE-ja paraqiti propozimin e nevojshëm legjislativ – për të miratuar uljet e tarifave ndaj BE-së.
Sipas ndryshimeve, tarifat për automjetet dhe pjesët e automjeteve të BE-së u ulën nga 27,5% në 15% që nga 1 gushti, të cilat hynë sot në fuqi. Përpara se presidenti i SHBA-së, Donald Trump të merrte detyrën në janar, taksa ndaj automjeteve evropiane ishte 2,5%.
“Një numër produktesh të tjera të BE-së – duke përfshirë avionë dhe pjesë avionësh, produkte farmaceutike gjenerike, pararendës kimikë dhe burime natyrore të padisponueshme – janë përjashtuar nga tarifat e SHBA-së”, sipas njoftimit.
Reiche tha se taksat ishin pjesë e një mjedisi gjeopolitik sfidues, të prekur nga proteksionizmi në rritje, tejkalimi i kapacitetit global dhe furnizimi i pasigurt me burime.
Ekspertët e industrisë besojnë se prodhuesit gjermanë të automjeteve do ta zhvendosin prodhimin në SHBA në afat të mesëm, për të anashkaluar tarifat.
Ndërkohë, ata do të duhet të përgatiten për rritjen e konkurrencës nga markat amerikane, pasi BE-ja ra dakord – për të lejuar hyrjen e automjeteve amerikane në bllok pa taksa në këmbim të uljes së tarifave.
