Gjermania përforcon mbrojtjen ajrore ndaj sulmeve me dronëve
Gjermania është duke u përgatitur të forcojë mbrojtjen e saj ajrore për t’u mbrojtur nga depërtimet e dronëve, për shkak të një rritjeje të sulmeve hibride të nisura nga Rusia, tha sot ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.
Duke iu referuar “shkeljeve të hapësirës ajrore të fqinjëve tanë europianë”, fluturimeve mbi kufi me dronë dhe sulmeve kibernetike, Dobrindt i tha ligjvënësve të mbledhur në dhomën e ulët për të diskutuar buxhetin e vitit 2026 se “kërcënimi është i pranishëm kudo”.
Si rezultat, Gjermania do të “rifurnizojë” mbrojtjen ndaj dronëve, tha ministri, duke njoftuar një reformë të Ligjit për Sigurinë Ajrore.
NATO paralajmëroi Rusinë se do të përdorte “të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe jo-ushtarake” për të shmangur kërcënimet, pas disa incidenteve javët e fundit ku avionë ose dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s.
Aleatët e NATO-s u takuan për konsultime në Bruksel pasi tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë javën e kaluar, dhe një numër i madh dronësh rusë depërtuan në hapësirën ajrore të Polonisë më herët gjatë muajit. Rumania gjithashtu ka regjistruar një dron rus që hyri në hapësirën e saj ajrore këtë muaj.
Mëngjesin e sotëm, Danimarka tha se dronët e vërejtur mbi disa aeroporte daneze gjatë natës ishin pjesë e një “sulmi hibrid”, të cilin ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, e përshkroi si të mundshëm të orkestruar nga një aktor profesionist , pa ia atribuar incidentet Rusisë.
Kjo ndodhi vetëm dy ditë pas vëzhgimit të disa dronëve më të mëdhenj që çoi në mbylljen për katër orë të aeroportit të Kopenhagës në fillim të javës, një nga qendrat më të rëndësishme të Skandinavisë.
Kryeministrja Mette Frederiksen e quajti incidentin e së hënës “sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike daneze deri më sot”.
