Ukraina rrëzon një avion rus Su-34 në Zaporizhia
Ukraina deklaroi sot se ka rrëzuar një avion luftarak rus tip “Su-34” në rajonin e Zaporizhias.
Forcat ajrore të Ukrainës, përmes një njoftimi në Telegram, thanë se avioni “Su-34 ishte “duke kryer një sulm me bomba thërrmuese mbi qytetin e Zaporizhias .
“Su-34”, një bombardues taktik supersonik, u zhvillua gjatë periudhës sovjetike, por ka nisur të prodhohet në seri vetëm që prej vitit 2006. Deri tani janë prodhuar rreth 150 të tillë.
Përdorimi i bombave thërmuese është një nga mjetet më të rëndësishme taktike të forcave ruse kundër linjave mbrojtëse ukrainase. Megjithatë, këto bomba përdoren shpesh edhe kundër qyteteve në prapavijë pranë vijës së frontit.
Bombat mund të hidhen nga disa kilometra larg, gjë që i bën avionët kryesisht të paarritshëm për mbrojtjen ajrore.
Zaporizhia në jug të Ukrainës dhe Kharkivi në verilindje janë ndër qytetet që kanë pësuar më së shumti nga sulme të tilla gjatë pushtimit rus, i cili ka zgjatur mbi tre vjet e gjysmë.
Sipas guvernatorit të Zaporizhias, Ivan Fedorov, pavarësisht rrëzimit të avionit, një person humbi jetën nga sulmet ajrore gjatë natës në rajon, ndërsa dy të tjerë u plagosën.
Në rajonet e Vinnytsias dhe Kirovohradit, sipas autoriteteve lokale, u dëmtuan objekte infrastrukturore nga sulmet me dronë.

