Kufizimet e Merz ndalin totalisht eksportet gjermane të armëve drejt Izraelit
Kufizimet e vendosura nga kancelari gjerman Friedrich Merz në gusht mbi eksportet e armëve drejt Izraelit kanë rezultuar që gjatë pesë javëve të para pas vendimit të mos miratohet asnjë dërgesë.
Sipas një përgjigjeje të Ministrisë së Ekonomisë ndaj një interpelance parlamentare të deputetit të partisë së Majtë, Ulrich Thoden, nga 8 gushti, dita kur Merz shpalli kufizimet , deri më 12 shtator, nuk është dhënë asnjë miratim.
Qeveria theksoi se çdo rast shqyrtohet individualisht, duke marrë parasysh interesat e politikës së jashtme dhe të sigurisë si edhe kërkesat ligjore, ndërsa përsëriti angazhimin për mbrojtjen e Izraelit.
Merz vendosi ndalimin e përkohshëm për eksportet e pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në konfliktin e Gazës, duke sinjalizuar një ndryshim në politikën gjermane ndaj Izraelit në sfondin e operacioneve gjithnjë e më agresive të këtij të fundit në Gaza.
Më herët, Berlini kishte kritikuar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, por kishte shmangur sanksionet.
Pas sulmit të organizatës militante palestineze Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, qeveria gjermane kishte rritur fillimisht eksportet e armëve, duke miratuar dërgesa me vlerë gati 500 milionë euro nën kancelarin e mëparshëm Olaf Scholz.
Nën drejtimin e Merz-it, eksportet ushtarake vijuan për pak kohë, me 3,99 milionë euro të miratuara gjatë pesë javëve të para të tij.
Netanyahu e kritikoi ndalimin e pjesshëm të eksporteve, duke akuzuar Gjermaninë se po shpërblen Hamasin për sulmet e tij.
Ndërkohë, Partia e Majtë ka kërkuar ndalimin e plotë të të gjitha eksporteve të armëve drejt Izraelit dhe përfundimin e bashkëpunimit ushtarak, duke paralajmëruar se qeveria rrezikon të bëhet bashkëfajtore në shkeljet e së drejtës ndërkombëtare ndaj civilëve palestinezë.

