Kremlini: Pavarësisht ndryshimit të tonit, Trump ende i përkushtuar për paqen në Ukrainë
Kremlini tha sot se beson se presidenti i SHBA-së, Donald Trump ishte ende i përkushtuar për të punuar drejt arritjes së paqes në Ukrainë, pasi udhëheqësi i SHBA-së ndryshoi papritur retorikën e tij në favor të Kievit, në fillim të kësaj jave, sipas “Reuters”.
Trump tha të martën, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, se besonte se Kievi mund të rimerrte të gjithë territorin e tij të pushtuar nga Rusia – e cila kontrollon rreth një të pestën e vendit – dhe se duhej të vepronte tani, ndërsa Moska përballej me probleme ekonomike.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska mendonte se administrata Trump ruante ende vullnetin politik për të gjetur një zgjidhje për luftën dhe se Rusia ishte e gatshme, të angazhohej në negociata paqeje.