Çfarë do diskutohet sot në Kryesinë e PD-së? Muçollari: Do propozoj kryerjen e një analize se çfarë ndodhi në 11 maj

Partia Demokratike do të mbledhë sot Kryesinë në orën 13:00. Mbledhja do mbahet në selinë e PD-së, ndërsa gjatë takimit do mbajë fjalën kryedemokrati Sali Berisha.

Në mbledhjen e Kryesisë, PD do të diskutojë mbi vendimarrjen e saj në lidhje me qëndrimet e opozitës ndaj rezultatit të zgjedhjeve dhe zhvillimet politike në vend.

Për "Ora News", anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari u shpreh se në këtë mbledhje do të diskutohet qëndrimi që do të mbajë Partia Demokratike në marrëdhëniet me Parlamentit.

“Qëndrimet që do të mbajë në raport me qeverisjen. Patjetër që do të sugjeroj në mbledhje për kryerjen e një analize se çfarë ndodhi në zgjedhje brenda PD-së. Por këto ngelen për t’u parë pas mbledhjes”, theksoi Muçollari.

Ndërsa i pyetur se a duhet të jenë ligjvënësit demokratë në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Muçollari u shpreh i prerë: “Unë mendoj që po”.

Pas fjalës së Sali Berishës, pritet që diskutimet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Më herët eksponentë të PD-së kanë thënë se forumet e partisë si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar do të jenë ato që do të vendosin edhe për vijueshmërinë e aksionit opozitar.

NDIQNI RAPORTIMIN E SITUATËS POLITIKE BRENDA PD-së PARA MBLEDHJE SË KRYESISË NGA GAZETARI ISA MYZYRAJ