Bala: Klasa politike ka zhdukur frymëzimin, ka mbetur vetëm oportunizmi
Në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, analisti Alban Bala analizoi krizën e thellë të përfaqësimit politik në vend, ku sipas tij, qytetarët dhe liderët kanë përqafuar oportunizmin duke lënë pas parimet dhe frymëzimin politik.
"Unë do të doja në një farë mënyre të zhvendosja diskutimin ndoshta në një lloj optike tjetër.
E para nuk besoj se është çështje strukture efiçente, pa strukturë efiçente.
Ju keni një popull që masivisht ka humbur çdo lloj frymëzimi të natyrës politike, ka përqafuar oportunizmin dhe ky është një oportunizëm që mirë apo keq ka në një farë mënyre si frymëzues edhe udhëheqësit politik të secilit grup pa asnjë lloj dallimi.
Këtu mund të reshtosh nga i pari i opozitës der tek i fundit i mazhorancës, të gjithë kanë të njëjtin rol në frymëzimin oportunist të turmës dhe turma prej këtij momenti nuk ka më as virtyte politike as principe politike.
Jemi duke folur për dy organizata me natyrë politike, praktikisht të përfaqësuar nga një grup individësh që kanë qëllime shumë të kthjellta po aq oportuniste në marrëdhënien e tyre me shtetin, me pushtetin, me ideologjinë, vijmë në situatën e një konflikti permanent, i cili nuk frymëzon, nuk përfshin dhe në një farë mënyre nuk prodhon dot ndryshim", u shpreh Bala.
