Xama: Hetimi për "Bankers"-IN është i paplotë, të përfshirë në skandal shumë kompani!

Gazetarja Ola Xama, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për aferën e Bankers, ku deklaroi se hetimet janë të paplota, ndërkohë që kjo kompani ka shfrytëzuar naftën e shqiptarëve dhe është favorizuar nga autoritetet.

Xama tha se aktiviteti i Bankers është fshehur vazhdimisht nga mediat, të cilat janë paguar. 

"Kemi një nga vendburimet më të mëdha në Europën kontinentale dhe i është dhënë si qokë një kompanie offshore. Copa-copa të këtyre parave, janë shitur dhe shpërndarë te disa kompani, të naftës, transportit dhe ndërtimit, në duar të zyrtarëve, politikanëve, apo një rreshti të madh ambasadorësh, të huaj që vijnë dhe lobojnë në Shqipëri. Kjo është fusha e Patos Marinzës.

Për të mbrojtur vjedhjen e madhe, janë blerë edhe mediat. Kam vajtur për xhirime, dhe makinat e security na kanë rrethuar dhe na kanë kërkuar të largohemi. Nuk duhej në mënyrë kategorike që asnjë media të raportonte se çfarë po ndodhte me Bankers.

Për mua edhe ky hetim nuk është i plotë, por duhet të përfundojë. Shoh emra kompanishë dhe ish zyrtarësh, banka të nivelit të dytë që kanë ndihmuar të mbajë Bankes llogari të fshehta, nuk ka masë ndaj tyre.

Nuk shoh hetime edhe ndaj mediave, që kanë përdorur këto, por edhe ndaj audituesve dhe kontabilistëve që kanë certifikuar këto pasqyra financiare. Ka kompani me emër, si i kanë vënë firmat?

Nga tabulatet telefonike, shohim se si punonjësit e Bankers shtynin pagesat ndaj Albpetrol dhe shtetit", tha Xama. 

Lidhur me përfshirjen e palëve të tjera, Xama veçoi Bankën Raifaisen për të cilën tha se duhet të hetohet dhe si kompani që kanë mbifaturimet më të mëdha, Bolv Oil dhe Albstar.

Gazetarja ngriti pikëpyetje se si një prokurori rrethi si ajo e Fierit, mund të kryejë hetime të specializuara të nivelit që kërkohet dhe përse nuk përfshihet SPAK. 

"Po ashtu nga raporti i auditimit, dalin dy kompani të tjera, Bolv Oil dhe Albstar. Këto dy kompani kanë mbifaturimet më të mëdha për sa i përket kompanive shqiptare.

Më pas ka firma të huaja, kanadeze, rumune, bullgare e me rradhë. Nuk e di nga pikëpamja hetimore, se si mund ti ndjekë një prokurori rrethesh", tha ndër të tjera Xama.