Begaj pret deputetin Kamberi, në fokus problematikat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 9 Shtator 2025, 15:50
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Presidenti bëri të ditur se në fokus të takimit ishin “problematikat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
“Kurrë nuk do të heq dorë nga përpjekjet e mia për unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe lobimin në të gjitha nivelet në mbrojtje të të drejtave dhe identitetit të tyre”, u shpreh Begaj.
Deputeti i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi iu drejtua dje me një fjalë konferencës së ambasadorëve shqiptarë “Diplo 2025”.
Ai kërkoi që Shqipëria dhe trupa e saj diplomatike të ndikojë në sensibilizimin sa më të madh të pozitës së vështirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
