Sallaku: Universiteti Bujqësor i Tiranës, partner i MBZHR për ekspertizë shkencore dhe konsulencë
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), Fatbardh Sallaku, firmosën sot në Tiranë, marrëveshjen e bashkëpunimit, që duke hapur një kapitull të ri në funksion të vizionit Bujqësia 2030.
Ky partneritet synon të krijojë ura të reja ndërmjet dijes akademike dhe praktikës në terren, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme zhvillimit të bujqësisë dhe forcimit të zonave rurale.
Sipas ministres Denaj, marrëveshja parashikon praktika dhe punësim për studentët e UBT-së, ofrimin e ekspertizës shkencore dhe konsulencës për politikat e ministrisë nëpërmjet një mekanizmi koordinimi që lidh arsimin me nevojat e sektorit, si dhe mundësi studimi me diplomë të dyfishtë UBT–BOKU.
“Kjo është një urë bashkëpunimi mes dijes dhe praktikës, që sjell më shumë mundësi për të rinjtë, mbështetje për fermerët dhe zhvillim të qëndrueshëm për bujqësinë shqiptare” u shpreh ministrja Denaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.
Ndërsa Prof. Sallaku në një prononcim për ATSH-në, tha se “UBT do të jetë partneri kryesor i Ministrisë së Bujqësisë për ofrimin e ekspertizës shkencore dhe konsulencës në fushat e bujqësisë, shkencave të tokës, ushqimit, zhvillimit rural, veterinarisë, akuakulturës dhe bioteknologjisë”.
“Një element i veçantë i kësaj marrëveshjeje është dhënia e vendeve vakante për praktikë profesionale në institucionet e MBZHR që do t’iu mundësojnë studentëve të UBT-së zhvillimin e aftësive dhe përvojës praktike në programe konkrete. Kjo nismë synon të krijojë një model bashkëpunimi të suksesshëm mes arsimit dhe sektorit bujqësor, duke kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare”, deklaroi Sallaku.
Ky hap konkret është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar bujqësinë shqiptare, për të fuqizuar brezin e ri të profesionistëve në këtë sektor dhe për të garantuar një zhvillim të integruar rural në përputhje me standardet evropiane.
