Shtëpitë e shitura pa hipotekë, konfiskohen! Reforma për mbrojtjen e territorit, Rama: Devijove nga projekti, në listë të zezë

Qeveria prezantoi reformën për mbrojtjen e territorit ku paralajmëruan një sërë masash për ndërtuesit që devijojnë projektet apo edhe zjarrvënësit. Gjatë prezantimit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se sipërmarrësit nuk do të mund të shesin banesa pa u pajisur me certifikatën e përdorimit.

Qeveria nuk do të lejojë shitjen e banesave pa u marrë më parë ajo që e quajti certifikata e përdorimit.

Gjatë prezantimit të reformës për mbrojtjen e territorit, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se asnjë objekt në ndërtim nuk do të mund gjithashtu të lidhë as ujin dhe dritat pa u pajisur me dokumentet e nevojshme.

Kreu i qeverisë prezantoi të ashtuquajturën listë e zezë, ku sipërmarrës dhe arkitektë që devijojnë nga projektet nuk do të marrin më leje ndërtimi.

Iu rikthye dhe një herë aksionit për lirimin e hapësirave publike, ku paralajmëroi se do të zgjasë për një kohë të gjatë.

Ndërkaq, kreu i qeverisë kërkoi që në Kodin e Ri Penal të ashpërsohen masat ndaj zjarrvënësve të qëllimshëm, duke  kërkuar serish që ky krim të vlerësohet njësoj si një vrasje.