VIDEO/ Kandidati i PD-së në Durrës e nis ditën në SPAK. Kalaja: Më janë vjedhur votat, të sekuestrohen kutitë

Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Nga pamjet e siguruara nga “Ora News” Kalaja shihet teksa futet i vetëm në godinën e SPAK-ut.

Teksa la ambientet e Prokurorisë, Kalaja në një komunikim me gazetarët u shpreh i bindur si atij në zgjedhjet e 11 majit i janë vjedhur votat.

Dhe për këtë arsye, ai u shpreh se SPAK duhet të sekuestrojë kutitë e votimit të Durrësit.

Kalaja tha para mediave se në KAS ka dorëzuar 8 prova të reja dhe se mendonte që kishin detyrë të vijonin rinumërimin. Lidhur me gjetjen e këtyre provave Kalaja shton se KAS mendon se është gabim njerëzor, ai mendon që është krim zgjedhor. Ai theksoi se kërkon që votat të rinumërohen me pamje filmike.

“Rezultati im u ul me 105 diferenca, KAS vendosi në mënyrë të çuditshme që të ndërpresë numërimin, kur në Tiranë e Fier u rinumëruan të gjitha kutitë, për Durrësin u ndërprenë. Në KAS kam dorëzuar 8 prova të reja. Mendoj që kishin detyrë të vijonin rinumërimin.

KAS mendon se është gabim njerëzor, unë mendoj që është krim zgjedhor. Ndaj erdha sot në SPAK. Kam kërkuar që votat të rinumërohen me pamje filmike. Nëse shohim votat me pamjet filmike shohim manipulimin e saj. Kam kërkuar që SPAK të analizojë ngjyrën e rezultatit se si janë prishur votat e mia”, tha Kalaja.