Pirdeni: Nisim punën për hartimin e ligjit “Për lobimin”

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adela Pirdeni bëri të ditur sot se “për herë të parë Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt hartimit të një ligji “Për lobimin”.

Pirdeni ndau në rrjete sociale momente nga tryeza e organizuar sot me mbështetjen e Këshillit të Europës, ku u diskutua mbi përvojat ndërkombëtare dhe praktikat më të mira që do të shërbejnë si bazë për hartimin e ligjit.

“Sot hodhëm një hap të rëndësishëm në rrugën drejt rregullimit ligjor të lobimit në vend.

Në tryezën e organizuar me përfaqësues nga autoritetet publike, institucionet e pavarura dhe qendrore, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, diskutuam mbi përvojat ndërkombëtare dhe praktikat më të mira që do të shërbejnë si bazë për hartimin e ligjit”, bëri të ditur ministrja.

Pirdeni e konsideroi këtë hap si një zhvillim kyç për rritjen e transparencës, forcimin e integritetit në vendimmarrjen publike, luftën kundër korrupsionit dhe përmbushjen e detyrimeve të procesit të anëtarësimit në BE.

Ajo shprehu mirënjohjen për Zyrën e Këshillit të Evropës në Shqipëri për mbështetjen dhe ekspertizën e mundësuar.