Dosja "Partizani"/ Tha se ishte kushërirë e deputetes demokrate, nuk pranohet dorëheqja e gjyqtares Ulliri nga çështja
Zëvendës Kryetari i GJKKO-së, ka vendosur mos pranimin e dorëheqjes së gjyqtares Elsa Ulliri nga çështja "Partizani" teksa ka filluar gjykimi në themel.
Gjyqtarja Elsa Ulliri kërkoi dorëheqjen me arsyetimin se ishte në kushtet e papajtushmërisë, pasi ka kushërirë deputeten demokrate Andia Ulliri.
Çështja "Partizani"
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohet për "Pastrim Parash".
Më 7 korrik 2025 Jamarbër Malltezi është liruar nga arresti shtëpiak. Në seancë, Gjykata e Posaçme vendosi që Malltezi të lirohej nga arresti shtëpiak, në kërkim të garancisë pasurore, pas 20 muajsh që mbahej në këtë masë. Garancia pasurore që GJKKO ka kërkuar është 3 milion lekë.
