Incineratori i Elbasanit, arrestohet vëllai i deputetit të PS. Policia: Denis Hasallës iu gjet në shtëpi edhe ...
Policia e Elbasanit ka konfirmuar arrestimin e vëllait të deputetit socialist Saimir Hasalla, Denis Hasalla.
Në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit të Elbasanit, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, mes tyre edhe në atë të Hasallës, ku është zbuluar një sasi municioni të paautorizuar.
Denis Hasalla mban aktualisht funksionin e drejtorit të Kabinetit në Bashkinë e Peqinit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar lidhjen e mundshme të tij me hetimin për inceneratorin apo ndonjë vepër tjetër penale.
Njoftimi i policisë:
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:
-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;
-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
KONTROLLET ME URDHER TE SPAK
Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një operacion të gjerë kontrollesh në kuadër të një hetimi penal për abuzim financiar me inceneratorin e Elbasanit dhe Eco Alb.
Gjatë mëngjesit të sotëm janë ushtruar kontrolle 14 banesave të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të përfshirë, përfshirë administratorin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, Leli Kraja.

Në fokus të hetimeve janë gjithashtu disa zëvendëskryetarë bashkish të qarkut Elbasan, si dhe drejtorë juridikë dhe të Financave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane.
Kontrollet zhvillohen në një moment kur Prokuroria ka përfunduar fazën e marrjes në pyetje të 43 personave, të cilët janë thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me funksionimin dhe menaxhimin financiar të inceneratorit.
Pritet që në ditët në vijim të ketë masa sigurie ndaj disa zyrtarëve lokalë, për shkak të dyshimeve për abuzim me fonde publike në bashkëpunim me kompaninë “ECO-ELB”.


