“SHPIFJE”/ Vokshi e Nushi përballen në GJKKO, deputetja e PD-së: S’e kisha personale, por për interesin e publikut
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet këtë të hënë gjyqi për shpifje mes biznesmenes Vilma Nushi dhe deputetes demokrate Albana Vokshi, të cilat janë paraqitur në sallë ku dhe po përballen mes tyre nëpërmjet avokatëve.
Avokatët e Vilma Nushit: "E akuzuara të deklarohet fajtore për shpifje. E akuzuara ka qenë kryetare e Komisionit Hetimor, nuk ka zbatuar ligjin konkret, ju dorëzojmë dhe praktikën e GJDNJ-së që duhet ndarë opinioni si deputet dhe fakti.
E akuzuara ka fyer dhe shpifur, ka konsumuar elementet, provuam që në komunikimet që kemi pasur me komisionin kemi dorëzuar prova dhe dokumentacione, por nuk janë marrë parasysh.
Të gjitha ato që janë thënë nga e akuzuara, 100-120 milionë euro apo 5-6 milionë euro tvsh rezultuan të pavërteta, apo çështjet off shore dhe lidhjet e Vilma Nushit me Edi Ramën, e akuzuara nuk mundi të sjellë asnjë provë në këtë proces.
Pra, mbetet një shpifje lidhur dhe me laboratorët, deklarimet e të akuzuarës dolën që janë të pavërteta".
Avokati i Albana Vokshit: "Nga ecuria e seancave dhe këtij procesi pretendimet e viktimës akuzuese nuk qëndrojnë. Deklaratat e zonjës Vokshi janë politike në ushtrim të detyrës së saj si deputete në interes publik.
Zonja Vokshi është bazuar edhe tek të dhënat e hapura, raportimet në media, kontrata koncesionare, raportet e KLSH-së etj. Gjykata duhet të vendosë rrëzimin e padisë".
Biznesmenia Vilma Nushi nuk flet në GJKKO, ndërsa Albana Vokshi tha: "Kam folur për 2 shërbime si “check up”-i dhe sterilizimi. Edhe pse kishim pengesa kemi vijuar me përpjekjet për interesin publik.
Kishim për detyrë evidentimin e personave përgjegjës, deputetët e mazhorencës na penguan, nuk miratuam dot disa akte ligjore për ndryshimin e legjislacionit për koncesionet abuzive.
Sa i takon “check up”-it kam sjellë dokumente që vërtetojnë ato që unë kam thënë, apo nga dëshmitë e mjekëve, qendrave shëndetësore, ku rezulton se nuk kanë përfituar qytetarët, përkundrazi.
Nuk është puna tek disa fjali që janë shkëputur nga konteksti dhe janë sjellë këtu. “Check up”-i u hartua në mënyrë klienteliste për interes të privatit. Këto i kam evidentuar në të gjitha ditët e komisionit hetimor, por edhe në punën time të përditshme 10-vjeçare. S’e kam pasur personale, por për interesin e publikut.
Madje e kam kallëzuar edhe në SPAK ku kam dhënë edhe shpjegime duke dëshmuar. I kam vënë ne dispozionin SPAK-ut dhe dokumente. Qëllimi im është që ata që bëjnë biznes në kurriz të qytetarëve shqiptarë të përgjigjen para ligjit, “check up”-in e ka denoncuar dhe Parta Demokratike ku unë aderoj".

