Real Madridi në zi, ndërron jetë tifozi më i vjetër, prej 93 vitesh anëtar i klubit

Real Madridi i ka dhënë lamtumirën një figure të pazëvendësueshme në historinë e klubit: Sergio Nieto Díaz Albo, tifozi më i vjetër dhe njëkohësisht anëtari më afatgjatë i klubit, është ndarë nga jeta në moshën 100-vjeçare.

Nieto Díaz Albo ishte bërë anëtar i “Los Blancos” më 1 dhjetor 1932, dhe për 93 vite me radhë i kishte mbetur besnik fanellës së bardhë.

Ai kishte festuar ditëlindjen e tij të 100-të më 29 shtator të vitit të kaluar, duke u bërë simbol i dashurisë për Realin.

Klubi madrilen përmes një komunikate zyrtare ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin e tifozëve të Real Madridit, duke e cilësuar Nieto Díaz Albon si “një pjesë të historisë së gjallë të klubit”.

Gjatë jetës së tij, ai ka qenë dëshmitar i 15 triumfeve të Real Madridit në Kupën e Kampionëve/Champions League, nga viti 1956 deri te suksesi i fundit në 2024, dhe është bërë një figurë mjaft e njohur në Spanjë për besnikërinë e rrallë ndaj klubit.

Sot, Real Madridi numëron mbi 95 mijë anëtarë, por të bëhesh pjesë e këtij grupi elitar nuk është aspak e lehtë.

Zakonisht kërkohet lidhje familjare dhe lista e pritjes është e gjatë, shpeshherë duke pritur edhe boshatisjen e një vendi për shkak të ndonjë ndarjeje nga jeta.

Sergio Nieto Díaz Albo nuk ishte thjesht një tifoz, por një kapitull i gjallë i historisë mbretërore.