Lamine Yamal, pushime ëndrrash në Brazil me Neymarin

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me fanellën e Barcelonës, Lamine Yamal ka zgjedhur të kalojë pushimet në mënyrën më magjike të mundshme: në Brazil, pranë idhullit të fëmijërisë, Neymar.

17-vjeçari spanjoll ka shijuar ditë plot diell, futboll në rërë, festime private dhe momente relaksi në vilën luksoze të ‘yllit’ brazilian, në Mangaratiba.

Ndërveprimi mes dy lojtarëve ka qenë i ngrohtë dhe plot humor, me video dhe foto që kanë pushtuar rrjetet sociale.

Një nga momentet më të ndjera ishte kur Neymar veshi fanellën e Yamal-it, e ky i fundit postoi një foto duke shkruar:

“Mami, shiko”, shoqëruar me një emoji me lot emocionesh. “Po të ma thoshin para tri vitesh, nuk do ta besoja kurrë”, shtoi ai.

Pushimet nuk kanë kaluar pa thashetheme.

Një pjesë e shtypit spanjoll aludoi për një lidhje me influencuesen Fátima Vázquez, 12 vite më e madhe se Yamal.

Por talenti i Barcelonës u dha fund spekulimeve me një frazë që shpërtheu në rrjete:

“Beqar dhe i lumtur, ky është Brazili!”

Deklarata u bë virale, me mbi 2 milionë pëlqime dhe mijëra komente në Instagram.

Edhe Neymar u argëtua me situatën, duke shkruar me humor:

“U kthye në një fëmijë!”.

Ai vlerësoi natyrshmërinë dhe modestinë e Yamal-it, i cili u përshtat menjëherë me atmosferën braziliane.

Lamine pritet të rikthehet në stërvitje me Barcelonën më 13 korrik, pikërisht në ditëlindjen e tij të 18-të.

Trajneri Hansi Flick e sheh këtë periudhë si pjesë normale të rritjes dhe beson se Yamal di si të qëndrojë me këmbë në tokë, pavarësisht famës që po rritet çdo ditë.