Lukaku entuziast për De Bruyne te Napoli: Pikërisht çfarë na duhej për të synuar më lart
Romelu Lukaku nuk është më në qendër të merkatos, por këtë verë ka diçka më të veçantë për të festuar: kampion me Napolin dhe i rrethuar nga bashkëkombës të tij.
Pas transferimit të Kevin De Bruyne, sulmuesi belg ka shprehur gëzimin e madh për afrimin e mikut dhe shokut të kombëtares:
“Jam shumë i lumtur që Kevin erdhi te Napoli. Ishte ajo që na duhej për të hedhur një hap tjetër përpara. Jemi kampionë, por synimi është të përmirësohemi.
I kam folur për Napolin, e kam ndihmuar me informacione dhe logjistikë. Bashkë me Mertens kemi bërë tonën për ta bindur. Ai bëri zgjedhjen e duhur.”
Lukaku, i cili e fitoi titullin edhe me Interin më parë, tregon vetëbesim dhe krenari për rrugëtimin e Napolit nën drejtimin e Antonio Contes:
“Kur barazuam me Interin, e dija që do ta fitonim ndeshjen. Ishim më të fortë, kishim besim dhe meritonim titullin.”
Pavarësisht dyshimeve që u ngritën pas verës së vështirë me Chelsea-n në 2023, ku përfundoi në skuadrën B, Lukaku ka treguar qetësi dhe profesionalizëm:
“Kjo është historia e jetës sime. Më kanë nënvlerësuar, por gjithmonë e kam ditur çfarë vlej.
Napoli më dha besim kur askush tjetër nuk më donte.”
Duke parë përpara, Lukaku nuk e përjashton një rikthim emocional në shtëpi:
“Kam kontratë deri në 2027 me Napolin dhe dua ta respektoj plotësisht.
Pastaj, ndoshta është koha për t’u kthyer tek Anderlecht-i, aty ku gjithçka nisi. Ia kam premtuar edhe djalit tim të madh që luan aty.”
