Dries Mertens i jep lamtumirën futbollit, do të tërhiqet së bashku me Hamsik
Një epokë në futbollin europian dhe veçanërisht me Napolin e artë të dekadës së fundit po mbyllet.
Dries Mertens, një nga lojtarët më të dashur për tifozët napolitanë, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.
Lajmi nuk erdhi përmes një deklarate zyrtare, por në mënyrë intime dhe emocionale, përmes një videomesazhi drejtuar ish-kapitenit Marek Hamsik, i cili po organizon ndeshjen e tij të lamtumirës.
“I madhi Marek Hamsik, mezi pres të luaj edhe një herë bashkë me ty. Kam ndalur së luajturi, por vetëm për ty do t’i lidh këpucët për herë të fundit.
Për mua do të mbetesh gjithmonë kapiteni im dhe më i miri me të cilin kam luajtur,” – u shpreh Mertens, me sfondin e detit të kaltër të Napolit në prapavijë.
Belgu, që zhvilloi ndeshjen e tij të fundit zyrtare më 30 maj me Galatasaray-n, nuk e kishte konfirmuar deri më sot tërheqjen nga futbolli.
Madje, edhe gjatë ceremonisë së emërtimit si qytetar nderi i Napolit, ai kishte lënë gjithçka të hapur, duke thënë se ishte ende duke menduar për të ardhmen.
Tani, përmes këtij mesazhi të ngrohtë, duket se vendimi është marrë. Mertens largohet nga futbolli aktiv ashtu siç jetoi karrierën e tij: me elegancë, ndjeshmëri dhe dashuri për ata që i qëndruan pranë.
Dhe për tifozët e Napolit, ai nuk do të jetë kurrë thjesht një ish-lojtar – por “Ciro” i përjetshëm.
