Lëvizje te Vora dhe Flamurtari, dy ndarje me peshë në kulmin e merkatos

Kampionia e Kategorisë së Parë, Vora, po përgatitet për sfidën e Superiores me ndryshime të shumta në organikë.

Klubi ka konfirmuar largimin e mbrojtësit Eni Imami, duke e bërë atë largimin e tetë të kësaj vere.

Në njoftimin zyrtar, klubi shprehet:

“Futboll Klub Vora njofton mbylljen e bashkëpunimit me lojtarin Eni Imami.

Klubi dhe lojtari kanë shtrënguar duart në fundin e këtij rrugëtimi. Falenderojmë Enin për kontributin dhe i urojmë suksese në të ardhmen.”

Para Imamit, nga skuadra janë larguar edhe emra të tjerë si Lika, Ntepe, Ismaili, Jata, Skënderi, Duka dhe Aneni.

Klubi do të rikthehet në korrik për fazën përgatitore, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë të tjera ndarje.

Ndërkohë, edhe në Vlorë, një figurë e njohur e sezonit të fundit largohet.

Sodiq Atanda, shtylla e mbrojtjes së Flamurtarit në sezonin e ngjitjes, ka bërë të ditur largimin përmes një postimi personal:

“Nga sot nuk jam më lojtar i Flamurtarit. Falenderoj presidentin, stafin, shokët e skuadrës dhe tifozët e mrekullueshëm. Ju uroj gjithë të mirat.”

Dy ndarje që tregojnë se merkatoja shqiptare ka hyrë në një fazë aktive, ku shumë klube po rifreskojnë fytyrën për sezonin e ri në elitë.