WIMBLEDON 2025: RISI DHE TRADITË! Turi i Tenisit premton përballje titanësh dhe teknologji e re
Edicioni i 138-të i Wimbledon-it vjen në vitin 2025 me një përzierje të rrallë mes respektit për traditën dhe risive teknologjike.
Turneu i famshëm londinez ruan rregulla ikonike si veshjet e bardha apo mungesën e reklamave në “Centre Court”, por këtë vit sjell edhe ndryshime të rëndësishme: Finalet do të luhen dy orë më vonë, në orën 17:00 dhe të gjithë 18 fushat do të përdorin teknologjinë Electronic Line Calling, që zëvendëson gjyqtarët anësorë dhe ndihmon në vendimet në kohë reale gjatë ndeshjes.
Përfitimet financiare janë gjithashtu rekord: Fituesit e turneut do të marrin mbi 3.5 milionë euro secili, si në kategorinë mashkullore ashtu edhe atë femërore. Edhe humbësit në raundin e parë nuk do të largohen bosh: ata do të përfitojnë mbi 77 mijë euro, një shumë që reflekton rritjen me 7% krahasuar me vitin e kaluar.
Publiku do të përjetojë gjithashtu një eksperiencë më të zgjuar, falë dy risive të fuqizuara nga inteligjenca artificiale: asistenti virtual “Match Chat”, që u përgjigjet pyetjeve në kohë reale, dhe “Likelihood to Win”, një algoritëm që llogarit shanset për fitore për çdo lojtar gjatë ndeshjes.
Ndër yjet e turneut, Carlos Alcaraz, kampioni në fuqi, dhe Jannik Sinner, numri 1 në botë, do të ndezin edhe një herë rivalitetin mes tyre.
Alcaraz shkëlqeu në turneun e Queen’s, ndërsa Sinner u eliminua herët në Halle, por mbetet pretendent, pasi bari i Wimbledon-it është më i ngadaltë dhe i përshtatshëm për stilin e tij. Pas gjysmëfinales së vitit të kaluar, italiani synon më shumë: finalen e vetme Slam që ende i mungon.

