Milan po kërkon pasuesin e Theo Hernandez-it, Tare ka në shënjestër një 'Topçi'
Me largimin gjithnjë e më të mundshëm të Theo Hernandez-it drejt Al Hilal-it, drejtuesit e Milanit nuk kanë humbur kohë dhe kanë filluar të lëvizin konkretisht për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Në krye të listës së kandidatëve ndodhet Oleksandr Zinchenko, mbrojtësi i majtë i Arsenalit dhe përfaqësues i kombëtares së Ukrainës.
Zinchenko, i lindur në vitin 1996, vjen pas një sezoni jo shumë të qëndrueshëm në “Emirates”, ku u përball me disa dëmtime dhe nuk arriti të sigurojë një vend fiks në formacion.
Në total, ai grumbulloi 23 paraqitje dhe 1 gol, ndërsa kontrata e tij me Arsenalin skadon në vitin 2026.
Milan sheh te Zinchenko një profil të përshtatshëm, për shkak të përvojës ndërkombëtare dhe fleksibilitetit taktik, ndërkohë që vlera e tij e tregut, rreth 20 milionë euro, konsiderohet e përballueshme për klubin kuqezi.
Madje, nuk përjashtohet mundësia që Milani të negociojë për një çmim edhe më të ulët.
Sipas burimeve, Igli Tare, tashmë pjesë e strukturës drejtuese të Milanit, ka zhvilluar kontaktet e para me përfaqësuesit e futbollistit.
Pika më delikate në negociata do të jetë paga, pasi Zinchenko aktualisht përfiton rreth 6 milionë euro neto në sezon, një shumë që tejkalon politikën e pagave të klubit.
Si alternativë, në listë ndodhet edhe Maxim De Cuyper i Club Brugge, një futbollist më i ri në moshë (i lindur në vitin 2000) dhe me një vlerë tregu rreth 16 milionë euro.
Milan ka pasur më parë marrëdhënie me klubin belg gjatë transferimit të Charles De Ketelaere. Megjithatë, De Cuyper nuk ofron të njëjtën përvojë ndërkombëtare si Zinchenko.
Gjithçka, megjithatë, varet nga zhvillimet përfundimtare të çështjes Theo Hernandez, i cili ndonëse ka hapur dyert për një aventurë arabe, nuk e ka përmbyllur ende lamtumirën me kuqezinjtë.
Milani, megjithatë, ka nisur numërimin mbrapsht dhe nuk dëshiron të mbetet pa zgjidhje në një nga rolet më të rëndësishme në fushë.
