Arrestohet për herë të dytë ish-efektivi i RENEA-s, pas një viti arrati. Ishte bashkëpunëtor me Durim Bamin
Një ish-efektiv i forcave speciale RENEA është arrestuar pas një viti arrati.
Sipas raportimeve, bëhet me dije se ai është Altin Morina dhe është arrestuar mbrëmjen e 3 prillit në Tiranë.
Altin Morina u shpall në kërkim në 17 maj të 2024 në kuadër të operacionit Revanshi
“Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami., në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës”, thuhet në dosjen e SPAK.
ARRESTIMI I PARE I MORINES

Kujtojmë që Altin Morina u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. 43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi.
Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.
“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare.
Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj”, tregoi në atë kohë ish-efektivi.
Altin Morina, dyshohet se ka lidhje me gurpin e Ervis Martinajt. Pak ditë para se të arrestohej në mars të vitit 2023, ai u pa në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Ndërsa te dosja Revanshi sipas SPAK Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.


