"Primaret", Këlliçi: PD mbetet partia e rebelëve kundër sistemit! PD në çdo proces zgjedhor, i bën një shërbim demokracisë në vend

Drejtuesi politik i Tiranës për Partinë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në SYRI TV, foli rreth procesit të primareve të zhvilluara fundjavën e lënë pas.

Sipas tij, ky proces ishte unik për nga organizimi, ndërsa pati një interes të lartë nga anëtarët e PD për të votuar.

Nga ana tjetër, Këlliçi theksoi se Partia Demokratike është partia e rebelëve kundër sistemit.

Belind Këlliçi: "Në primaret e PD, shqiptarët panë një proces që nuk e kishin parë asnjëherë më parë. Panë një proces që është unik për nga organizimi, prodhoi një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 50,800 anëtarë të PD, dolën për të votuar. Në Tiranë ka patur një shifër rekord pjesëmarrje, 13 mijë e 50 votues në mos gaboj. Një interes shumë të madh për të marrë pjesë, për të votuar dhe fuqizuar anëtarësinë. Diçka që ishte premtuar në Kuvendin e Rithemelimit në dhjetor të vitit 2021 dhe që u bë realitet këtë fundjavë.

Hera e dytë që ndodhi, sepse hera e parë ishte në vitin 2023 për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal dhe kësaj radhe kishte interes shumë të shtuar edhe për shkak se numri i kandidatëve ishte shumë herë më i madh.

Janë interesante për t’u parë sepse ke shumë emra të rinj. Ke mikse të listave fituese, por në krye qëndrojnë të rinjtë, se boll kemi dëgjuar këto katër vite që në PD nuk ka të rinj, në PD u mbyllet dera të rinjve etj. Mjafton të hapësh listën e Tiranës, të shohësh që në krye të listës vetëm emra të rinj, emra të sprovuar dhe emra me kontribute ndër vite, qoftë në forumin rinor, qoftë në strukturat e partisë.

Për mendimin tim, nuk ka asnjëherë proces perfekt. Asnjëherë nuk ka dhe nuk do të ketë listë perfekte. Përherë do të ketë pakënaqësi, përherë do të ketë mendim ndryshe.

Nëse nuk je një qenie politike që nuk ke ambicie politike, kot që je në politikë. Ata që militojnë në PD, janë pjesë e partisë që nga themelimi i saj. Është një forcë politike anti sistem, anti komunizëm, dhe sigurisht një pjesë e madhe e të rinjve rrjedhin nga këto familje. Duhet thënë që PD, mbetet partia e rebelëve kundër sistemit, që rrëzuan diktaturën dhe njerëzve që janë përherë rebelë në qasjen e tyre. Kjo është gjë e mirë për demokracinë në vend, është gjë e mirë për Shqipërinë. Por nga ana tjetër, sigurisht nuk shkon pa kosto elektorale, pa kosto politike. Ka përplasje, ka mosdakordësi, ka debate, ka mendime ndryshe dhe ka hera herës që duhet të prevalojë disiplina e organizatës.

PD në çdo proces zgjedhor, i bën një shërbim demokracisë në vend, demokracisë në Shqipëri, pluralizmit brenda forcave politike dhe tregon që është forcë politike".

"Primaret", Këlliçi: PD mbetet partia e rebelëve