EMRI/ Malazezi i kërkuar nga Austria kapet në pikën kufitare të Hanit të Hotit

Policia e Shtetit ka arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Hotit 38-vjeçarin malazez Armano Pepiç.

Në njoftimin e saj, Policia bën me dije se Pepiç do të ekstradohet në Vjenë pasi është dënuar me burg për dy vepra të rënda penale.

Njoftimi i PKK Hani i Hotit

Kapet në tentativë për të hyrë në Shqipëri dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Vjenë, 1 shtetas malazez i shpallur në kërkim ndërkombëtar.   

38-vjeçari i arrestuar, i akuzuar nga autoritetet gjyqësore në Vjenë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vjedhja në rrethana rënduese”.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Hani i Hotit, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në hyrje të RSh-së, shtetasin malazez A. P., 38 vjeç, banues në Mal të Zi.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet gjyqësore në Vjenë, Austri, më datë 08.05.2024, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vjedhja në rrethana rënduese”. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Vjenën, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit, në Austri.