Tre efektivë në spital gjatë protestës së PD. Policia publikon PAMJET dhe thotë se po identifikon autorët
Gjatë protestës së organizuar mbrëmjen e sotme nga Partia Demokratike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, tre punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt tyre.
Një efektive ka pësuar dëmtime në sy, ndërsa dy të tjerë janë lënduar në fytyrë dhe dorë. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e specializuar të mjekëve.

Ndërkohë, Policia e Shtetit po grumbullon prova dhe pamje filmike për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtij akti, që ndodhi gjatë masave të sigurisë për mbarëvajtjen e tubimit.
Drejtori i DVP Tiranë, Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtori i Rendit kanë vizituar efektivët e lënduar në spital, duke siguruar që ata të marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.

