Bisedat e krimit për listën e Durrësit, Vatnikaj: Para Dakos në SPAK ka qenë dhe drejtuesi tjetër i PS-së, Ardian Çela

Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u thirr të hënën në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ku u mor në pyetje lidhur me dosjen e ish-deputetit socialist, Jugis Çyrbja, i cili është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash dhe lidhje me krimin.

Nga zbërthimi i bisedave në SKY EÇ, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.

Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News”, gazetari Edison Vatnikaj zbuloi detaje nga kjo dosje hetimore.

“Sa i përket reagimeve, kemi parë për herë të parë dy reagime brenda ditës të SPAK ndaj deklaratave të Sali Berishës, gjë që konfirmon se liria e fituar nga kreu i opozitës duket se i ka shtuar dozat e besimit.

Para Vangjush Dakos është pyetur edhe drejtuesi tjetër i PS-së në Durrës, Ardian Çela dhe mendoj se problemi që ka në këtë dosje është për të kuptuar jo se kush u rendit i treti në listë, por kush është favori që i është premtuar nga Edi Rama si kryetar i PS-së.

Sepse kemi parë që Jurgis Çyrbja është njoftuar për operacionet për arrestimin e Altin Hajrit dhe anëtarëve të grupit të tij.

Komunikimet janë indicie, por duhen prova për t’i faktuar si akuza ndaj tyre”, u shpreh ndër të tjera gazetari Edison Vatnikaj.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”