PS rrëzon amendamentet/ Minimumin jetik, Koçiu: Propozim i pastudiuar, mbështesim punësimin e jo të japim lëmoshë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu paraqiti sot në Kuvend argumentet e mazhorancës kundër amendamentit të propozuar nga Partia Demokratike për vendosjen e minimumit jetik në masën 200 euro.
Koçiu theksoi se politikat e qeverisë synojnë mbështetjen e përfshirjes së të papunëve aktivë në tregun e punës dhe jo dhënien e lëmoshës.
“Për sa i përket propozimit për minimumin jetik në masën 200 euro do të theksoja që është një propozim aspak serioz, që i ka kaluar koha me vakt dhe nuk mund të vendoset absolutisht apriori, i pastudiuar, i pavlerësuar dhe i pabazuar mbi një metodologji mbi të cilën biem dakord të gjithë”, tha Koçiu.
Ministrja kujtoi se në vitin 2013, PD e la papunësinë në vlerën 16%, ndërkohë që qeverisja socialiste e adresoi.
Ndërkohë politikat e mirëqenies sociale të ndjekura nga qeverisja socialiste në këto vite, sipas saj, “kanë qenë të përqendruara dhe vazhdojnë të jenë të përqendruara së pari në rritjen e punësimit, në rritjen e pagave, në rritjen e pagës minimale”.
“Në vitin 2013 paga minimale ishte 22 mijë lekë, sot është dyfishi i asaj që ju propozoni si minimum jetik, 40 mijë lekë. Paga mesatare mujore 55 % më e lartë se paga mesatare mujore që e latë në vitin 2013”, shtoi Koçiu.
Ministrja theksoi se politikat e qeverisjes socialiste janë për të nxitur të papunët që janë forcë aktive e punës dhe jo për të deformuar tregun e punës.
“Kemi çuar në 64% rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës nga 52% që ishte në vitin 2013. Shkalla e punësimit në nivelin 44% në vitin 2013, sot është rritur në nivelin 57%. Në vitin 2013 vetëm 22% e familjeve të varfra mbuloheshin nga skema e ndihmës ekonomike, sot mbulohen 82.5% nga skema e ndihmës ekonomike të familjeve të varfra”, theksoi Koçiu.
Koçiu siguroi se synimi kryesor është që të forcohen programet e punësimit dhe integrimit të gjithë atyre nevojtarëve që kanë nevojë për punë dhe janë forcë aktive pune dhe jo të japi lëmoshë.
“Nuk është ky qëllimi ynë. Qëllimi ynë është të integrojmë këdo që ka mundësi për të punuar, ta aftësojmë me aftësi të reja për tregun e punës dhe ta bëjmë të tillë që të përmirësojë dhe thyejë ciklin e varfërisë nëse ndodhet në një cikël të tillë”, tha Koçiu.
Koçiu solli në vëmendje edhe programet e punësimit për të rinjtë, si programet e formimit nëpërmjet punës.
“Kemi programin e praktikave profesionale, programin e të nxënit në vendin e punës. Janë gjithashtu programe që synojnë aftësimin e të rinjve dhe integrimin e tyre në tregun e punës. Programi i Garancisë Rinore që po zbatohet me mbështetjen e BE-së është gjithashtu një program që synon të integrojë të rinjtë në tregun e punës”, tha ministrja.
Koçiu shprehu bindjen se “shtresat e varfra nuk kanë nevojë për të siguruar mirëqenien e familjeve të tyre thjesht me lëmoshë, por kanë nevojë të thyejnë ciklin e varfërisë dhe kjo bëhet vetëm duke i integruar në tregun e punës”.
“Ndërkohë nga ana tjetër politikat sociale kundrejt familjeve me fëmijë që punojnë dhe ato nëna që nuk punojnë për shkak se rrisin fëmijët e tyre janë në fokus të politikave tona. Pikërisht për këtë jemi duke mbështetur dhe hartuar politika pro familjes dhe lehtësimit të prindërve me fëmijë për të bërë të mundur që t’i adresohen tregut të punës. Konkretisht jemi duke aplikuar prej viti 2019 politikën e bonusit të bebes që ka favorizuar të gjitha ato familje që sjellin për herë të parë në jetë fëmijën e tyre. Programi kombëtar i nënave të papuna me 3 apo më shumë fëmijë duke subvencionuar sigurimet shoqërore e shëndetësore me efekt njohjen e viteve të pensionit”, tha Koçiu.
Ministrja theksoi po ashtu se programi i shërbimeve sociale mbështet familjet në nevojë me shërbime të integruara pranë qendrave komunitare multidisiplinare në 61 bashki të vendit.
“Politikat për fëmijët dhe familjet me fëmijë duke përfshirë këtu subvencionimin e energjisë elektrike, pjesëmarrjen në shkollë, tarifat e kopshtit dhe çerdhes, pagesën e bursës së studimit si dhe libra falas. Kjo është politika drejt së cilës duhet të orientohemi”, tha Koçiu.
Ministrja theksoi se po punohet qëllimisht që të adresohet një forcë aktive pune që integrohet në tregun e punës dhe që ka hapësirë dhe kapacitetet e nevojshme për të siguruar që të thyejë ciklin e varfërisë.
“Kjo për të mos lënë familje të bien në batakun e varfërisë duke u dhënë lëmoshë. Prandaj unë personalisht bashkë me anëtarët e qeverisë dhe grupin parlamentar të PS-së jemi kundër këtij propozimi”, tha Koçiu.
Në vijim kryetarja e Kuvendit hodhi në votim amendamentin e paraqitur nga PD për vendosjen e minimumit jetik në masën 200 euro, i cili u rrëzua me 72 vota kundër dhe 34 vota pro. Kuvendi miratoi nenin 3 të projektbuxhetit, sipas variantit të komisionit.


