Nallbati propozon rritje të subvencioneve për fermerët, Denaj: 70 mijë përfitues në vitin 2025

Partia Demokratike paraqiti sot në Kuvend një amendament për rritjen e fondeve në buxhetin 2025 që shkojnë në mbështetje direkte për fermerët.

Amendamenti u prezantua nga deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati i cili kërkoi rritjen e fondit vjetor të parashikuar për subvencionimin e fermerëve, blegtorëve dhe agrobiznesit.

“Kam kërkuar të shtohet fondi i bujqësisë minimumi në 120 milionë euro që të shkojë për subvencion të drejtpërdrejt te fermeri. Është turp se Kosova me 3.6 miliard euro buxhet jep 90 milionë subvencione të drejtpërdrejta plus fondet IPARD, ndërsa ne me 8.2 miliard euro japim 50 milionë euro dhe nuk kemi asnjë lekë nga IPARD. Flasim ne për suksese në bujqësi”, tha Nallbati.

Duke iu përgjigjur Nallbatit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh se “52 milionë euro mbështetje e vitit 2023 janë shumë më shumë se sa 7 milionë euro të vitit 2013, ku vetëm 10% e buxhetit shkonin për subvencione”.

“40% e buxhetit shkon për subvencione në vitin 2023. 5593 ishin përfituesit në vitin 2013, 65 mijë fermerë janë në vitin 2023, 70 mijë fermerë në vitin 2025 dhe 150 mijë fermerë do jenë në vitin 2029”, u shpreh Denaj.

Denaj theksoi se përcaktimi i fondeve që shkon te fermerët bëhet sipas një analize të detajuar.

“Duhet të flasim me fakte dhe jo me llafe dhe me teori politike. Pse 120 milionë euro? Pse jo 150 milionë euro, pse jo 100 milionë euro? Kjo bëhet me analizë dhe atë do ta bëjmë ne sot me ekspertë kroatë. Do ta çojmë mbështetjen për 150 mijë fermerë në mandatin tonë të katërt qeverisës”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi po ashtu se është shtuar mbështetja buxhetore në atë që është e rëndësishme, në infrastrukturën ujitje dhe kullim.

“E kemi shtuar me 472% dhe do flasim nga 0.3 miliard lekë në vitin 2013 në 1.8 miliardë lekë në vitin 2025 duke synuar 100% të sipërfaqes kulluese në 360 mijë ha. Nga fondet IPARD keni 540 investime nga veriu në jug. Por ju bëni retorikë politike të pambështetur në fakte”, u shpreh Denaj.

DEBATET SOT NE KUVEND