Leskaj: Të katërfishohet fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj paraqiti në Kuvend amendamentin për të përdorur një pjesë të të ardhurave nga privatizimi për financimin e skemës së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.

“Të ardhurat nga privatizimi në vite ndahen 50% për financimin e borxhit dhe pjesa tjetër për investime publike. 50% të shkojnë për borxhin dhe 50% për skemën e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë.

Në këto vite, ligji për dëmshpërblimin është miratuar në 2007 janë 17 vite dhe ende ne nuk e kemi përmbushur detyrimin për dëmshpërblimin e tyre dhe ky është detyrim, ligjor, moral dhe kushtetues.

Po ta marrim nga viti 1991 që ata kanë përfituar pafajësinë nga Kuvendi i parë pluralist, janë 34 vite. Me ritmet aktuale, 10 milionë euro në vit, ky proces përfundon pas 20 vite, shkon në 54 vite.

Të dy ndryshimet e mia përpiqen që skemën për dëmshpërblimin ta fuqizojnë.

Të ardhurat nga privatizimi në këto dy vite nuk kanë qenë të konsiderueshme, por nëse do ishte zbatuar në tre buxhetet që keni miratuar i bie që do shtoheshin pesë milionë euro. Me përmirësimet që mund t’i bëhen politikave të privatizimit kjo është një shumë e konsiderueshme”, u shpreh ai.

“Ndryshimi i dytë që kam propozuar është se në raport me PBB-në që nuk ka rritje fare. Pra, ky fond i parashikuar është 0.05% e PBB-së, fondi të katërfishohet dhe të shkojë në 0.2% e PBB-së. Kjo shumë të zbritet nga shpenzimet e Këshilli i Ministrave dhe ministrive, nga shpenzimet operative, pra është shumë e përballueshme”, tha Leskaj.

Amendamenti i deputetit Leskajt u hodh për votim dhe u rrëzua me 61 vota kundër.