Shehu paraqet amendamentin: Fond kontigjence prej 3 miliardë lekësh për minatorët

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu propozoi sot një amendament në projektbuxhetin e vitit 2025 për një fond kontigjence prej 3 miliardë lekësh për minatorët.

Në fjalën e tij në Kuvend për amendamentin e paraqitur për buxhetin e vitit 2025, Shehu u shpreh se, “nisur nga shqetësime të shumë minatorëve për trajtimin jo të duhur financiar gjatë viteve të tyre të punës, por sidomos sa i përket vlerës financiare të masës së pensioneve që ata përfitojnë, nisur nga mungesa e një statusi të veçantë për minatorët, nisur nga e drejta kushtetuese për shpërblim dhe trajtim të përshtatshëm, nisur nga numri i lartë i minatorëve 2500-3000 persona që prej vitesh protestojnë dhe presin adresimin e problematikave të tyre të ngritura, unë propozoj sot miratimin e një fondi kontingjence prej 3 miliardë lekësh për t’i shpërndarë sipas përcaktimeve të Këshillit të ministrave me qëllim kompensimin e vlerës financiare ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për pagesat e pensioneve e sipas një statusi për minatorët që duhet miratuar brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm”.

Shehu theksoi se, “ky fond kontingjence prej 3 miliardë lekësh është lehtësisht i rialokueshëm nga fondet e dedikuara për shpenzimet operative të qeverisjes qendrore, udhëtime, dieta, hotele, karburante, çarter, etj”. 

DEBATET SOT NE KUVEND