Vasili paraqet 5 amendamente: Buxheti për Shëndetësinë, transfuzion për sektorin në krizë
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili prezantoi sot në Kuvendin e Shqipërisë, katër amendamente të opozitës për shëndetësinë dhe bujqësinë.
Vasili tha se njeh gjuhën e shifrave, duke parashtruar se popullsia e Shqipërisë prej gati 2.4 milionë banorë është sa një rajon i Italisë. “Buxheti vjetor i shëndetësisë në Emilia Romagna në Itali është 9.7 miliardë euro. Ne kemi propozuar një amendament që lidhet me sëmundjet onkologjike. 20 milionë euro në vit nuk janë asgjë, janë vetëm një transfuzion për një sektor në krizë. Shtohen gjashtë mijë pacientë të rinj me sëmundje kanceroze në vit, mesatarja është tre mijë euro për pacient vetëm nga kjo shtesë. Janë edhe mijëra të sëmurë të tjerë dhe shtesa e propozuar nga ne ka qenë më e arsyeshmja që mund të mendohet vetëm për të përballuar kurimin bazik dhe kapjen në kohë të sëmundjes”, tha Vasili.
Deputeti Vasili foli edhe për një tjetër amendament të propozuar për barnat e rimbursueshme, një aspekt që ka shumë problematika sipas tij, sepse shumë mjekime nuk përfshihen për shkak të mungesës së parave.
“Një amendament tjetër është për bujqësinë, braktisja e fshatit, lënia e tokave djerrë dhe çmimet e pamundura me të cilët ata të konkurrojnë në treg, produktet që hidhen në kanale, kjo vjen se nuk mbështetet financiarisht. Lërini fjalët dhe sloganet, pa përmendur blegtorinë ku shifrat janë të frikshme. Rritje e mbështetjes së subvencioneve për bujqësinë, këtë kemi kërkuar ne”, shtoi Vasili.
Deputeti deklaroi se një tjetër amendament i propozuar lidhet me rritjen e mbështetjes për pagesën e papunësisë dhe paaftësinë. “Mjerimi ka një fytyrë, edhe mjerimi migjenian do hynte në krizë. Mbështetja që ata marrin nuk zgjidh as urinë e tyre”, theksoi ai.
Ndërsa një tjetër amendament, është që rritja e rrogave për administratën publike të fillojë që në 1 janar, pasi rritja e çmimeve, e kostove të jetesës nuk presin me muaj, sipas deputetit. Amendamentet u hodhën poshtë me votim nga deputetët e Kuvendit.
