Bardhi: Buxheti 2025, thellim i varfërisë për qytetarët shqiptarë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e cilësoi sot buxhetin e miratuar për vitin 2025 si buxheti i mirëqenies personale të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish rreth tij, dhe buxheti i thellimit të varfërisë për qytetarët shqiptarë.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi tha se “vota e Edi Ramës dhe deputetëve të tij kundër 34 propozimeve të bëra nga Grupi Parlamentar i PD në Buxhetin e Shtetit 2025 nuk është votë kundër deputetëve të opozitës, por është votë: kundër pensionistëve, kundër fermerëve, kundër të rinjve, kundër studentëve, kundër bizneseve, kundër ish- të përndjekurve, kundër pronarëve, kundër shërbimit cilësor shëndetësor apo arsimor, kudër qytetarëve në nevojë dhe në varfëri ekstreme, kundër minatorëve, kundër mësuesve apo kundër mjekëve”.

“Në vitin e 12 të qeverisjes, edhe me Buxhetin e fundit të qeverisë së tij, Edi Rama provoi edhe një herë se është në pushtet për mirëqenien e tij dhe rrethit pranë tij, dhe asnjë ditë për mirëqenien e qytetarëve. Në 12 vite vetëm kundër qytetarëve, kundër interesit publik, kundër Shqipërisë”, theksoi Bardhi.

Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro dhe 24 vota kundër projektbuxhetin për vitin 2025. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti 32 amendamente në buxhet gjatë seancës së sotme, të cilat u rrëzuan nga mazhoranca.