VIDEO/ Berisha shpall triumfin nga foltorja e Kuvendit: Rikthimi im fitore ndaj atyre që donin të eliminonin opozitën
Pas 11 muajsh nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kryetari i PD Sali Berisha është sot në seancën plenare në Kuvend.
Ai u shpreh se 11 muaj më parë u tentua të varrosej demokracia.
“Kot e keni, unë erdha, ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë por ia bëtë vetes dhe ju qofshi. Të nderuara deputetë e deputete, të dashur qytetarë.
11 muaj më parë me 21 dhjetor të 2023 Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që mos të shihte më në këtë sallë Sali Berishën, ëndrrën e tij atërore që mos të shihte opozitë në këtë sallë.
Atë ditë tentuan të varrosin demokracinë e pluralizmin”, u shpreh Berisha.
AGJENDA E PUNIMEVE PARLAMENTARE
Kuvendi nisi në orën 10:00 seancën plenare, ku në rend të ditës është miratimi nen për nen dhe në tërësi i buxhetit të vitit 2025.
Miratimi i buxhetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, teksa sot do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat.
Buxheti i vitit 2025, i diskutuar përgjatë 48 orëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u miratua më 19 nëntor në parim me 75 vota pro, 40 vota kundër, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8,2 miliardë euro. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3,9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do të ketë një rol të rëndësishëm.
Borxhi Publik pritet të reduktohet në 55,8% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 56,3% dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3,6% të PBB-së.
Sipas parashikimeve në buxhet, në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10,2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9,8% të forcës aktive për punë.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754,6 miliardë lekë ose 28,8% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40,6 miliardë lekë më shumë.
Parashikimet e shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822,7 miliardë lekë ose 31,4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51,4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024. Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6,2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Po ashtu, shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1,85 miliardë lekë, të fokusuara tek nxitja e punësimit, ujësjellës kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.
Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192,3 miliardë lekë ose 7,3% e PBB. Investimet publike pritet të jenë në masën 6,2% e PBB ose 161,8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4,5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025, parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.
Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban janë Korridori 8 nga Elbasani në Lekaj; bajpasi i Elbasanit; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës arteria më e rëndësishme industriale e vendit; rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; Korridori 8 nga Elbasani në Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11,3 miliardë lekë; projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.
Fjala e Berishës:
Këto ditë është ndarë nga jeta një kolos i mendimit intelektual shqiptar, një avokat i pamposhtur i çështjes kombëtare, një luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, një martir i gjallë që përjetoi në vitet e para të diktaturës barbaritë dhe torturat më çnjerëzore, profesor Sami Repishti.
Profesor Sami Repishti ishte ndër më të shquarit shqiptarë në diasporën dhe emigracionin tonë.
Fjala dhe penda e tij nuk rreshti kurrë së mbrojturi çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar.
Ai, një antikomunist i vendosur, i dëshmoi me shkrimet e tij mbarë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës.
Por, dha një kontribut dhe fjala e tij u dëgjua në të gjitha instancat e shtetit amerikan për të drejtat e shqiptarëve të pushtuar në Kosovë.
Për të gjitha këto, unë ftoj parlamentin ta nderojmë këtë burrë të shquar të kombit shqiptar me një minutë heshtje.
Po mbaheni me shpirt ndër dhëmbë.
Unë erdha, ju e dini vetë...
E shoh çehren që u ka rënë, por ia bëtë vetes dhe ju qofshi.
Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë.
11 muaj më parë, me datën 21 dhjetor të vuitit të kaluar, Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali berishën, ëndrrën e tij atërore të një Shqipërie pa opozitë.
Në një vendim që zgjati gjithsej 8 minuta, me pasion dhe histeri të madhe, gjysma prej jush atë ditë tentuan të varrosin demokracinë, pluralizmin në Shqipëri.
Votuat duke më mohuar të drejtën e fjalës, sepse fjala ime tmerronte narkodiktatorin dhe shumë prej jush.
Votuat duke mbushur parlamentin me mbi 50 gardistë.
Votuat pa më dhënë fjalën, me mendimin se kjo do ishte dita e fundit e Sali Berishës në parlamentin e Shqipërisë.
Rikujtuat në këtë mënyrë se ishte dhjetor. Në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha vendosi të eliminojë opozitën e Shqipërisë.
Edi Rama, për të nderuar kujtimin e tij, zgjodhi pikërisht dhjetorin për të larguar Sali Berishën nga parlamenti, për të arrestuar Sali Berishën pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë dosje.
Mirëpo i bëtë llogaritë të gabuara sepse nuk ishte viti 1946.
Është e vërtetë se ju për fatkeqësinë e kombit amerikan, kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha të lirisë të atij kombit dhe ndiqnin axhendën e Xhorxh Sorosit, kësaj monstre të njerëzimit, këtij armiku të egër të kombit amerikan, pastaj edhe miqve të tyre kudo.
Pra, ju me 21 dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare.
Mirëpo, sot ja ku jam. Unë vij këtu me mesazhin e fitores.
Vij këtu fitimtar, vij këtu për të udhëhequr opozitën drejt fitores.
Edi Rama nxin aty si Edi Metamorfoza, nxin si banor i bodrumeve më të zeza të mafies shqiptare.
Nxin si hajduti më i madh në historinë e kombit shqiptar.
Nxin si armiku më i egër i qenies shqiptare në kohëra.
Nxin sepse në 12 vite u angazhua me të gjitha mjetet për të dhunuar, për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve njëlloj si etërit e tij.
U angazhua me çdo mjet për të vjedhur fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve, për t’u bërë miliarder me pronat e shqiptarëve.
U angazhua në mënyrën më makabër kundër Kosovës, kundër interesit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, në zbatim të politikës së serbomadhnisë.
U angazhua duke përdorur armiq persekutorët e presidentit Donald Trump, si McGonigal, kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.
U angazhua duke shpenzuar miliona lobime e mashtrime në të katër anët e botës kundër një opozite, e cila ishte në kod, në Kushtetutë dhe në çdo vend të lirë, pushteti moral i vendit dhe pa të cilën demokracia nuk mund të ekzistojë.
Po sot, ju jeni të dështuar në mënyrën më përfundimtare.
Sot, ju përfaqësoni ata që vrasin 14-vjeçarin dhe që këtu nuk ngrihen për të mbajtur 1 minutë heshtje, nuk ngrihen për të nderuar me 1 minutë heshtje shpirtin e tij të pafajshëm që u mor në gjirin e shkollës.
Sot ju përfaqësoni oficerin e paguar si snajper për të ekzekutuar biznesmenin.
Sot ju përfaqësoni ata që ndajnë një rrugë 13 kilometra në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Sot ju përfaqësoni njerëzit që paraqisni një buxhet këtu pa asnjë qindarkë për të rinjtë shqiptarë, pa asnjë qindarkë pothuajse për 800 mijë pensionistë, në një kohë kur rrogat tuaja janë të barabarta me 70 pensione. E kuptoni ku keni arritur ju?
Prandaj dhe reagimi juaj kolektiv si kope, si tufë, o burra të votojmë për shpëtuar. Po nuk shpëtoni dot.
Këto janë krime që bëjnë së bashku të paktën 3 mijë vite burg, edhe me klemenca.
Po si mund të sillni ju në parlament këtu një buxhet për 800 mijë njerëz, të cilët marrin një pension sa ç’merr gjermani për qenin e shtëpisë, dhe që marrin ushqimet, naftën, 30, 50 përqind më shtrenjtë se gjermani?
Si mundet?
Ju jeni të dështuar!
A e kuptoni ju se të sëmurët në spitalin onkologjik dhe në spitalet tona nuk vdesin nga sëmundjet, por vdesin nga mungesa e ilaçeve sepse u vidhni atyre paratë e caktuara për të blerë ilaçe?
A e kuptoni ju se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, kurse pensionistët e saj janë njerëzit më të përçmuar, më të përbuzur të rajonit dhe të botës?
Si mund të sillni të votohet këtu një buxhet 8.2 miliardë euro dhe të përcaktoni 16 milionë euro për 800 mijë vetë?
Kush mund ta bëjë këtë? E bëjnë vetëm ata që kanë tmerr nga njerëzit.
E bëjnë vetëm ata që janë kavërdisur në krimet e tyre dhe nuk mund të shohin gjë tjetër.
Po Shals, ata pensionistë që marrin një të dyzetën e rrogës tënde, paguajnë TVSH për ushqime njëlloj sa ti?
A e kupton ti apo jo? Nuk ke mëshirë ti.
Nuk ke mëshirë ti se ti nuk numëron dot apartamentet e tua të vjedhura, kjo është e njohur dhe nuk je i vetëm.
Kampion, padrino është Edi Rama.
Pra, ju jeni të dështuar.
Ju caktoni buxhetin më të ulët për arsimin, në një kohë kur arsimi në vitet tuaja pësoi rrokullisjen më të madhe në botë.
Ju caktoni një buxhet mizerabël për kulturën, në një kohë kur kulturën e keni asgjësuar pothuajse tërësisht në zbatim të doktrinës së monstrës së njerëzimit, Xhorxh Sorosit.
I fshitë nga harta e Tiranës teatrot dhe të gjitha institucionet kulturore.
A e kuptoni ju?
Ju uleni në këtë sallë, t’u them alienë, ju nuk jeni, ju jeni çeta e Ali Babait.
Po, po!
8.2 miliardë euro, po si mund të votoni ju një buxhet të tillë dhe të mos i rrisni të paktën 20 përqind pensionet në Shqipëri.
Sepse ju zgjidhni midis vjedhjes dhe pasurimit tuaj dhe kafashatës së qytetarëve.
Si mund të votohet buxheti 8.2 miliardë dhe të mos vendoset minimumi jetik 200 euro për shqiptarët?
Asnjë projekt nuk kërkoj të anulohet.
Çdo projekt mund të realizohet me buxhetin 8.2 miliardë.
Por a e patë o qytetarë se si e bëjnë?
A e dëgjuat atë Gjylametin që njëherë e sikterisni, njëherë e ktheni që numëronte sa do marrin ministrat dhe zëvendësit?
A e dëgjuat që të thotë kaq do marrë i riu, kaq do marrë pensionisti, kaq do marrë fermeri?
Asnjë prej tyre.
Sepse ekziston vetëm parajsa juaj e ndërtuar mbi vjedhjen, krimin.
Unë erdha këtu, u lashë me disa emra, u gjeta me emra të tjerë.
Ishte Edvin Droga, gjej Edvin Metamorfozën.


