Manja: Reforma në Drejtësi, gurthemeli i luftës kundër korrupsionit
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja vlerësoi se SPAK sot është kthyer në model suksesi në luftën kundër korrupsionit, ndërsa theksoi se ka hetuar dhe çuar për gjykim figura të njohura të politikës dhe administratës duke përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-zv.kryeministra, ministra dhe deputetë dhe një numër të konsiderueshme, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm.
Manja iu adresua komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili po vijon punimet në Kuvendin e Shqipërisë në panelin me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse, luftën ndaj korrupsionit: Politika dhe Instrumente”.
Manja konfirmoi se lufta kundër korrupsionit është një prioritet kombëtar dhe domosdoshmëri për ndërtimin e një Shqipërie të drejtë, të ndershme dhe të zhvilluar.
“Ky nuk është vetëm një angazhim qeveritar por edhe një betejë për sigurinë tonë kombëtare për të mbrojtur institucionet tona dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tanë”, u shpreh Manja.
Në këtë drejtim, ministri theksoi se Reforma në Drejtësi është themeli i besimit të publikut, një reformë gjithëpërfshirëse që përbën gurthemelin e luftës kundër korrupsionit.
“Vetingu si çështje themelore e kësaj reforme ka pastruar sistemin nga individë që nuk përmbushnin standardet e integritetit profesional. Në 21 nëntor të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin e fundit duke përmbyllur me sukses mandatin sipas Kushtetutës dhe ligjit të rivlerësimit së bashku me Komisionerin Publik. Në sitën e rivlerësimit kaluan 805 subjekte, gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë ligjorë dhe ndihmës ligjorë”, shtoi Manja.
Në përfundim të këtij procesi, Manja theksoi se vetëm 373 subjekte ose 46.3% e tyre e kaluan me sukses procesin e Vetingut, ndërsa 432 subjekte ose 53.6% janë larguar për mosjustifikim të pasurisë apo mungesë të integritetit të figurës.
Sipas ministrit, 53 raste janë referuar në SPAK ose në prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm për verifikime të natyrës penale me qëllim ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetimit nëse do të ketë raste të tilla. Manja theksoi se ky proces ka rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia duke siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.
“Krijimi i një sistemi gjyqësor më të fortë dhe më të pavarur është faktor themelor në garantimin e sundimit të ligjit dhe në krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, theksoi Manja.
Sipas tij, sfidë mbetet që ky proces të mbyllet me sukses.
“Kjo kërkon që Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili do të ushtrojë veprimtarinë deri në dhjetor 2026, duhet ta mbyllë këtë proces me të njëjtat standarde që ka ndjekur procesi i Vetingut. Sfida tjetër është që organet e reja kushtetuese të sistemit të drejtësisë që janë bartëse të ushtrimit të funksioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët dhe drejtuesi i SPAK në ushtrimin e funksioneve të Komisionerit Publik, të vazhdojnë me të njëjtat standarde të krijuara nga procesi i vetingut me qëllim që sistemi të mbahet i pastër nga korrupsionit për të mos rënë në gjendjen që ishim para Reformës në Drejtësi”, shtoi Manja.
Risi e Reformës në Drejtësi, sipas ministrit ishte edhe krijimi i strukturës së posaçme antikorrupsion SPAK.
“SPAK sot është kthyer në model suksesi në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar dhe sot që flasim është nga institucionet më të besueshme për publikun në Shqipëri. Rezultatet e tyre flasin qartë”, tha Manja.
Ministri theksoi se SPAK deri tani ka në hetim dhe ka ulur për gjykim figura të njohura të politikës dhe administratës duke përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra, ish-zv.kryeministra, ministra dhe deputetë dhe një numër të konsiderueshme, zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm.
Manja theksoi se pasuritë e paluajtshme të zyrtarëve të lartë po identifikohen, sekuestrohen dhe konfiskohen sipas ligjit.
“Krimi i organizuar dhe asetet e tij kriminale janë vënë nën shënjestrën e kësaj agjencie dhe janë goditur një numër i konsiderueshëm grupesh kriminale. Mesazhi është shumë i qartë: Askush nuk është mbi ligjin”, tha Manja.
Ndër të tjera ministri vlerësoi po ashtu se dixhitalizimi mbetet një armë e fuqishme në luftën kundër korrupsionit.
“Për të luftuar korrupsionin në shërbimet publike, sot Shqipëria përmes e-Albania ofron mbi 1400 shërbime online, duke eliminuar ndërveprimin fizik të qytetarëve me zyrtarët dhe reduktuar ndjeshëm hapësirat për abuzime. Në vitin 2025 fillon puna për sistemin e ri të menaxhimit të integruar të çështjeve në gjykata që do të modernizojë drejtësinë dhe përmirësojë transparencën dhe performancën e gjyqtarëve duke përmbushur një nga detyrimet tona kryesore në procesin e integrimit”, shtoi Manja.
