Koçiu: Këtë vit mbështetëm 4,200 gra e vajza të dhunuara, fuqizojmë mbështetjen ndaj tyre

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka përcjellë një mesazh në kuadër të fushatës “16 ditë kundër dhunës ndaj grave”, duke theksuar rëndësinë e veprimit të përbashkët për eliminimin e kësaj plage shoqërore.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është thjesht një problem, është një plagë për shoqërinë. Gjatë këtyre 16 ditëve të fushatës kundër dhunës ndaj grave, dërgojmë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm: dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë!,” thekson ministrja në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu, në postimin e saj vuri në dukje arritjet dhe angazhimin për vitin 2025

“Në vitin 2024 janë mbështetur 4,200 viktima përmes qendrave të emergjencës dhe strehëzave. Me buxhetin e vitit 2025, synohet fuqizimi i mëtejshëm i shërbimeve sociale për viktimat, duke përfshirë: Trajnimin dhe mbështetjen psiko-sociale;
Forcimin e programeve për fuqizimin ekonomik dhe arsimimin e grave dhe vajzave;
Zgjerimin e rrjetit të qendrave të emergjencës dhe strehëzave në të gjithë vendin”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu nënvizoi se veprimi i sotëm ndërton një të ardhme ku gratë dhe vajzat jetojnë të lira dhe të sigurta.