ALARMI PËR PËRDORIMIN E DROGËS! “Spitali Amerikan 2”: Prindër mos neglizhoni shenjat!
Rritja e përdorimit të substancave narkotike te moshat e vogla po bëhet gjithmonë e më shqetësuese.
Dr. Sonila Bitri, mjeke toksikologe pranë Spitalit Amerikan 2, thotë se shumë të rinj që kërkojnë ndihmë janë 16-17 vjeç, por konsumi ka nisur shumë më herët, ka raste qënë moshën 11 vjeçare.
Dr. Sonila Bitri: “Një ndër substancat që po shohim të konsumohet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë është kokaina. Kjo substancë, që dikur ishte më e zakonshme tek grupmoshat 30-35 vjeç, tani po prek edhe individë të moshave 18-20 vjeç. Dëmet që shkakton konsumimi i kokainës në moshë të re janë të rënda, sidomos për zhvillimin e sistemit nervor, sjelljen, dhe organet e tjera”.
Konsumimi i substancave ndodh në një kontekst shoqëror, me adoleshentët shpesh nisin të përdorin substanca për shkak të presionit të grupit dhe dëshirës për të qenë "në modë.
Dr. Sonila Bitri: “Një problem apo një ndryshim në sjellje, një nervozitet më i shtuar, një mungesë përqendrimi më i shtuar, një rënie e dëshirës për shkollën apo për t’u marrë me aktivitetet familjare, pra ndryshime që nuk kanë qenë më përpara, të gjitha këto janë zilja e alarmit për t’u këshilluar ose për të menduar që fëmija apo adoleshenti ka diçka që nuk shkon dhe mund të jemi përpara konsumimit të një substanceash. Ndryshimet edhe në paraqitje. Një fëmijë apo adoleshent që konsumon, abuzimit me kanabis që është substanca kryesore apo alkool ka një erë karakteristike, ka ndryshime në sjellje, ka përgjumje ose çrregullime të gjumit natën”.
Duke hequr dorë nga stigmatizimi dhe gjykimi, trajtimi i adoleshentëve që abuzojnë me substanca kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve, duke përfshirë mjekët, psikologët, familjen dhe mësuesit.
Dr. Sonila Bitri: “Le të jemi të hapur dhe bashkëpunues me fëmijët, sepse shikoj shpesh prindër që janë të lodhur, të mërzitur, gjykues, për sjelljet e adoleshentëve dhe nuk na ndihmojnë në procesin e rehabilitimit. Pra procesi i rehabilitimit është i gjatë, i dhimbshëm, që ka në qendër pacientin, në këtë rast adoleshentin, mjekun, por ka edhe familjarët, mësuesin e shkollës, edhe psikologun dhe sociologun, pra është një grup i tërë që duhet të jetë suportues për adoleshentin që kërkon ndihmë për abuzimin me substanca, prandaj le t’i lemë dyert, zemrat dhe mendjen hapur për suportin ndaj të rinjve që abuzojnë me substanca”.
Mjekja apelon prindërit të mos neglizhojnë shenjat por të ndihmojnë fëmijët ta kalojnë këtë sfidë.


